Në prag të inaugurimit të presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, kryeministri Edi Rama i dhuroi statusin e investitorit strategjik kompanisë së lidhur me dhëndrin e tij, Jared Kushner për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit. Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike, KIS, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama më 30 dhjetor të vitit që lamë pas, duke pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC dhe t’i japë asaj status të investitorit strategjik me procedurë të veçantë.
Sipas vendimit të KIS, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 për qind të ishullit ose 45 hektarë. “Vlera e investimit të projektit turistik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë Euro”, thuhet në vendimin e KIS. Me miratimin e statusit, kompania e lidhur me Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, do duhet të negociojë një kontratë me kompaninë publike Korporata e Investimeve Strategjike, ndërsa një sërë institucionesh shtetërore, përfshi ministritë e Infrastrukturës, Mbrojtjes, Mjedisit, Ekonomisë vihen në dispozicion të kompanisë për të transferuar pronën dhe përgatitur dokumentacionin për lehtësim të punimeve.
