Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje liderëve dhe komunitetit ndërkombëtar që të mos humbin momentin për të arritur paqe edhe në Evropë, pas përparimit të arritur në Lindjen e Mesme me marrëveshjen për armëpushim në Gaza.
“Lufta në Evropë mund të marrë fund gjithashtu”, tha ai, duke shtuar se udhëheqja e Shteteve të Bashkuara dhe e partnerëve të tjerë është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Ai bëri të ditur se kishte biseduar për gati një orë me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, për këtë çështje, raporton The Guardian.
“Tani që lufta në Lindjen e Mesme po përfundon, është e rëndësishme të mos humbim momentin për të çuar përpara procesin për paqe. Lufta në Evropë mund të marrë fund gjithashtu, dhe për këtë, udhëheqja e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë është thelbësore”, ka shkruar Zelensky në platformën X.
“Sot, kalova gati një orë duke biseduar për këtë me presidentin e Finlandës, Alexander Stubb. Po analizojmë qëndrimet tona. Është e rëndësishme që presidenti Trump arriti të ndërmarrë hapat e nevojshëm për lirimin e pengjeve dhe ndalimin e luftës në Gaza. Pa dyshim, veprimet e duhura nga Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë edhe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ne kemi një vizion të përbashkët për këtë”.
