E plotë/ Kush është 20-vjeçari nga Devolli që mashtroi kupolën e Arsimit si “mbesa e Ramës”

Data

Ermes Hoxhalli nga Bilishti, i arrestuar së fundmi për “falsifikim dokumentash” e “falsifikim kompjuterike” mund të ketë parë shpesh filmin “Catch me if you can”, në të cilin Leonardo di Caprio portretizon historinë reale të falsifikatorit Frank Abigail Jr.

E, njëlloj si 17-vjeçari Frank Abigail, edhe 20-vjeçari shqiptarë ngriti një skemë mashtrimi, sa për lojë, aq edhe kriminale, brenda së cilës përfshiu zyrtarë shumë të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe zyrave rajonale arsimore.

Skema është aq e thjeshtë, por aq ulëritëse kur shihet se si drejtuese të rëndësishëm qeveritarë Bien pre e mashtrimeve të rëndomta kompjuterike.

Hoxhalli krijoi një profil të rremë me emrin “Klea Rama”,  prezantohej virtualisht si mbesa e kryeministrit Edi Rama dhe thoshte se komunikonte në emër të një zyrtareje të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Kaq mjaftoi që të krijonte një projekt kokë e këmbë të rremë, “Let’s talk together about US 2023”, nëpërmjet të cilit mashtroheshin të rinj gjimnazistë me premtimin se pjesëmarrësve do t’u sigurohej udhëtim në Shtetet e Bashkuara.

Mashtrimi vijoi për disa kohë, derisa një hetim i zhvilluar nga prokurorja e Tiranës, Eloida Goxhi, përfundoi këtë fillim-jave me arrestimin e “Klea Rama”, emri i vërtetë i së cilës është Ermes Hoxhalli, rreth 20 vjeç, nga Bilishti i Devollit.

Sinjali në ambasadën e SHBA

Në maj të vitit 2023, personazhi “virtual” Klea Rama, ka lëshuar 19 çertifikata për nxënës dhe një mësues të shkollës “Ali Demi” në Vlorë, për pjesëmarrje në projektin “Let’s talk about US 2023”, të nënshkruara nga zyrtarja e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Amanda R.

Në një kohë më vonë, ky informacione mbërrin në Ambasadë. Diplomatja mohoi përfshirjen e kësaj në këtë projekt para prokurorisë shqiptare dhe eksperiza grafike tregoi se nënshkrimi i saj nuk ishte i njëjtë me ato që gjendeshin në çertifikatat e shpërndara nga koordinatorja e rreme e projektit, “Klea Rama”.

Kjo situatë nxiti hetime të mëtejshme, nga ku u zbulua se “Klea Rama”, duke u shtirur si mbesa e kryeministrit Edi Rama, kishte krijuar aksese komunikimit me zyrtarë të lartë në Ministrinë e Arsimit, të cilët, gjithësesi, nuk e kishin takuar asnjëherë personalisht.

Në listën e komunikimeve të “Klea Ramës” përfshiheshin zv.ministrja Nina Guga, drejtoresha e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar, Rezarta Alla dhe drejtues të tjerë të Ministrisë.

Si u zbërthye mashtrimi

Në qershor të vitit 2024, personazhi “Klea Rama”, gjithnje duke u prezantuar si mbesa e kryeministrit, vihet në kontakt me drejtoreshën arsimore të Lezhës, Valentina Suta.

Në një komunikim, “Klea” i kërkon zyrtares lezhjane që të ndihmoj një mikun e saj, Ermes Hoxhalli, që të zbatojë një projekt për teatrot rinore. Në këtë komunikim, “Klea” jep gjeneralitetet e plota të Hoxhallit dhe informon drejtoreshën arsimore të Lezhës se ai është student në Akademinë e Arteve.

Drejtoresha e Arsimit në Lezhë i thote bashkëbisedueses që të komunikojë me drejtorin e Kulturës në Bashkinë e qytetit, por “Klea” i thotë që nuk mund të flasë drejtëpërdrejtë, pasi “xhaxhi Edi (Rama) nuk e lejon të flasë me zyrtarët, pasi mund të behet problem nëpër lajme”.

Ky ishte sinjali i parë dhe, mbi të gjitha, gabimi i parë i “Klea Ramës”, e cila deri në atë kohë ia kishte dalë më së miri të fshihej virtualisht.

Prokuroria e Tiranës, në përpjekje për të gjetur se kush fshihej pas identitetit të rremë “Klea Rama”, tashmë kishte një pikë mbështetjeje-Ermes Hoxhallin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related