Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e së shtunës në Bergamo të Italisë, ku një burrë ka tentuar të rrëmbejë një vajzë 18-muajshe në hyrje të një supermarketi. Si pasojë e përleshjes mes prindërve dhe agresorit, e mitura ka pësuar thyerje të femurit, ndërsa autori është arrestuar nga policia.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 në supermarketin “Esselunga” në rrugën “Corridoni”. Familja – babai, nëna dhe vajza e tyre – po largohej nga ambientet e marketit kur një i panjohur iu afrua papritur pranë hyrjes.
Sipas autoriteteve, 47-vjeçari, shtetas rumun dhe pa vendbanim të qëndrueshëm, e kapi fëmijën nga këmba e djathtë. Nëna reagoi menjëherë duke mos e lëshuar vajzën, ndërsa agresori tentoi ta tërhiqte drejt brendësisë së supermarketit. Gjatë përplasjes, nëna u rrëzua dhe u tërhoq zvarrë për disa çaste, por arriti ta mbante fëmijën.
Babai ndërhyri menjëherë, la karrocën me blerjet dhe e goditi agresorin, duke e rrëzuar në tokë. Roja e sigurisë dhe disa klientë e neutralizuan 47-vjeçarin deri në mbërritjen e policisë, e cila e mori në ndalim.
E mitura u transportua në spitalin “Papa Giovanni” në Bergamo, ku mjekët konstatuan thyerje të femurit. Fatmirësisht, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet po hetojnë motivet e ngjarjes. Deri më tani nuk rezulton që 47-vjeçari ta njihte familjen, e cila është italiane. Sipas të dhënave paraprake, ai nuk ka precedentë penalë të njohur dhe nuk rezulton me diagnoza psikiatrike të certifikuara, ndërsa verifikimet vijojnë.
Prokuroria ka urdhëruar dërgimin e tij në burg dhe pritet të kërkojë konfirmimin e arrestit për akuzat e rrëmbimit të mbetur në tentativë, të rënduar nga mosha e viktimës, si dhe për plagosje të rënduar.
