Prokurori i Posaçëm amerikan, Jack Smith, ka ngritur aktakuzë të re kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për dyshimet se ai ishte përpjekur ta zhbënte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Aktakuza e re e ngarkon Trumpin me akuzat e njëjta kriminale sikurse ajo e vjetra, por përmban disa ndryshime pas aktvendimit të Gjykatës Supreme se ish-presidenti gëzon imunitet të gjerë nga ndjekja penale.
Aktakuza e re përqendrohet në rolin e Trumpit si kandidat politik që kërkonte rizgjedhjen, në vend se si president i vendit asokohe. Më 1 korrik, Gjykata Supreme tha se Trumpi gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprimet që i kishte ndërmarrë si president.
Zyra e Prokurorit të Posaçëm tha se aktakuza e përditësuar, e dorëzuar në gjykatën federale në Uashington, “pasqyron përpjekjet e Qeverisë për t’i respektuar dhe zbatuar vendimet e Gjykatës Supreme”.
Në një reagim në platformën e vet Truth Social, Trump e quajti aktakuzën e re “dëshpërim” dhe “përpjekje për ta ringjallur gjuetinë e vdekur të shtrigave”. Ai tha se aktakuza e re i ka “të gjitha problemet e aktakuzës së vjetr dhe duhet të hidhet poshtë menjëherë”.
Aktakuza e re i heq referencat ndaj akuzave të cilat mund të cilësohen si veprime zyrtare për të cilat Trumpi gëzon imunitet, sipas vendimit të Supremes. Kjo përfshin akuzat se Trumpi u përpoq ta përdorte Departamentin e Drejtësisë në përpjekjet e tij të dështuara për ta zhbërë humbjen në zgjedhje, përfshirë duke kryer hetime të rrejshme dhe duke u thënë shteteve – gabimisht – se është vërejtur mashtrim i madh në zgjedhje. Gjykata Supreme tha në vendimin e saj se bashkëveprimi i presidentit me Departamentin e Drejtësisë është veprim zyrtar dhe për këtë ai gëzon imunitet.
