Dy turistë gjermanë, të dy 18 vjeç, kanë humbur orientimin pasditen e së shtunës gjatë një ecjeje në malin e Çikës, në qarkun e Vlorës.
Sipas informacioneve paraprake, të rinjtë kishin nisur itinerarin rreth orës 15:00, por gjatë lëvizjes janë ndarë nga pjesa tjetër e grupit dhe nuk kanë mundur të gjejnë rrugën e kthimit.
Pas marrjes së njoftimit, në zonë janë angazhuar shërbimet e Policisë së Shtetit, ekipet e zjarrfikëses, si dhe një ekip i Delta Force dhe personel mjekësor, të cilët po punojnë për lokalizimin dhe nxjerrjen e turistëve në një vend të sigurt.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej turistëve ka pësuar dëmtime pasi është rrëzuar në terrenin malor. Ekipet e shpëtimit po ndërhyjnë për transportimin e tij drejt një zone ku mund të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa autoritetet pritet të japin informacione të mëtejshme pas përfundimit të ndërhyrjes.
