Dy aspekte të shpopullimit të pandalshëm Izet S. Çulli

Data

Një dukuri e veçantë që me të drejtë lakohet shpesh në dy aspekte të saj,mbizotëron në ditët e sotme në vendin tonë. Është fjala për largimin me nxit të njerëzve tanë nga trojet gjyshstërgjyshore. Shumë nga ata “arratisen” pa kthyer kokën pas për t’u vendosur në kryeqytetet apo në ndonjë qytet tjetër më të madh.

Kjo iknajë e pafre është mjaft të dëmshme në të gjitha aspektet që ta shikosh(ndonëse ka edhe arsye të forta për këtë për kushtet më minimale të jetesës si zhbërjen e sistemit arsimor e shëndetësor,rrugët e dëmtuara, ujësjellësit e munguar etj.)Dhe kësisoj ngelen pa punuar tokat, mungojnë blegërimat e bagëtive dhe meloditë e këmborëve e të zileve.

Dikur barinj të tillë profesionistë të vërtetë kishin 100-200 krerë, ndërsa tani dhe ketë herë më pak…Po ç’mund të bëjnë në qytet ata kur s’mund të blejnë një shtëpi apo të kenë një punë sa për të mbajtur frymën gjallë…Dhe disa nga këta vendosen në grykëderdhje lumenjsh apo në vende moçalore që në çdo rast rrezikohen ose kanosen nga përmbytjet dhe nga lagështira. Persona të këtillë ngrenë nja barakë të mbuluar me plastmasë dhe japin alarmin për ndihmë(!).

Gazetarët e intervistojnë me keqardhje,por asnjëri nga këta nuk i ka pyetur se nga ç’krahinë vijnë dhe pse kanë lënë banesat në fshat, tokat, bagëtitë, etj duke shkuar nga t’i çojnë këmbët…! Një pamje jo më pak kaq trishtuese është edhe shpopullimi tjetër i njerëzve jashtë shtetit për bhë”jetë më të mirë”, kur në ato vende ku shkojnë, u mungon profesioni i duhur, gjuha e huaj, dokumentacioni i nevojshëm dhe kështu me radhë.

Dihet se askush, askund nuk të pret me tufa lulesh apo krahëhapur, sit ë thuash. Dhe shprehen analistët se janë shtuar krimet dhe drogimet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtete ku shkojnë e mjaft prej tyre përfundojnë burgjeve. Shumë të tjerë merren edhe me prostitucion e mjaft syresh zhdukin njëri-tjetrin për të humbur gjurmët.

Ne shqiptarët jemi aq pak si vend e si popull dhe nuk ka pse të vetmohohemi dhe të rrudhemi më tepër si komb… Ndodhi të tilla na janë servirur me bollëk nga pushtetarët e dy kaheve politike me politikat e tyre dritëshkurtra. U shkatërruan, u dogjën me qindra fabrika, uzina, kombinate etj. Dhe u hodhën rrugëve mijëra e mijëra punëtorë dhe specialistë të të gjithë niveleve. Po pse, a nuk vlente çimentoja jonë, plehrat azotikë e superfosfati, tullat e tjegullat, llambat e telat elektrikë, basmat e stofrat e shumëllojshëm, qymyret tona kualitetlartë, nafta jonë etj.etj.?!

U boshatisën qytete e fshatra të tëra dhe disa humbën fare nga harta e Atdheut, sepse nuk ka asnjë banor! Sot po i mëshohet turizmit të gjithfarëllojshëm duke e ngritur këtë biznes në zenit dhe me përmasa përparësore. Kuptohet se këto qendra turistike zhvillohen nga private dhe shteti vjel taksat duke premtuar se do të shtojë pagat dhe pensionet. Në të tëra nivelet e shkollave ne kemi mësuar se dy bazat themeltare të ekonomisë janë industria e bujqësia, ndërsa të tjerat vetëm shtojca e asgjë më tepër, do të thoshim.

Një bari disi i shkollepsur që kishte jetuar në kohën e sistemit tonë të mëparshëm njëpartiak(jo komunist, siç theksohet rëndom, se ky sistem nuk u ndërtua askund në botë ashtu siç duhej gjer tani), më tha:”mua më duket se turizmi i ngjan atij vulëhumburit sovjetik, që na këshillonte që në vend të drithërave të bukës të mbillnim agrume!” Në ditët e sotme me këto ritme, ashtu shpejtazi po hyjmë në atë që quhet rreth vicioz.

Turistët po shtohen përvit, ndërsa produktet tona blegtorale-bujqësore po pakësohen përherë e më tepër. Atëherë do vijë një ditë që nuk do të ketë më as mish qengji e keci(sa keq është të therësh qenie të tilla kaq të pafajshme!).Dhe po munguan qengjat e kecat nuk do të ketë as dhi e dele më pas, e as djathë e gjalpë bio në vitet që vijnë… Shumë shtete të mëdhenj shtohen e ne dhe kaq sa jemi në sipërfaqe, siç na e kanë lënë ”me zemërgjerësi” vendet e mëdha grabitqare europiane, po firojmë e firojmë përherë e më shumë…

Po kemi një sektor ku numri i tyre qëndron në vend krenarisht:ai i Parlamentit të Shqipërisë me 140 deputetë, të cilët jo për fyerje, por ky popull i drobitur, ata i mban mbi shpinë. Nuk janë absolutisht vetëm pagat e tyre tejet të larta, por kanë edhe mjaft privilegje të tjera(mbi 20 të tilla) e shpesh ne bëhemi copë për ata, pavarësisht se në përgjithësi shumë prej tyre s’e kanë në hesap pikërisht popullin votues taksapagues. Quo vadis Shqipëria ime, me kaq shume halle dhe shqetësime!?

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related