DW: Shqipëria kalon një tjetër prag drejt BE-së, por sfida më e madhe mbetet zbatimi i reformave dhe lufta ndaj korrupsionit

Data

Deutsche Welle ka analizuar zhvillimet më të fundit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se vendi ka hyrë tashmë në fazën më të vështirë të negociatave me Bashkimi Europian, atë të zbatimit konkret të reformave.

Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE konfirmoi përmbushjen e objektivave të ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret”, i cili përfshin drejtësinë, të drejtat themelore, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi dhe ngritjen e SPAK, duke e cilësuar këtë institucion si një strukturë flamurtare në luftën kundër korrupsionit.

“Kemi parë vettingun e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve. SPAK ka treguar se mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besueshëm në Shqipëri”, deklaroi Kos.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se përmbushja e objektivave të ndërmjetme nuk përbën fundin e procesit, por hyrjen në një etapë ku kërkohen rezultate të prekshme dhe reforma të qëndrueshme.

Edhe Edi Rama e cilësoi konferencën si një “gur kilometrik” në rrugën e integrimit, duke deklaruar se Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt negociues brenda 11 muajve.

“Nuk është fundi, është vetëm fillimi i fundit”, tha Rama gjatë konferencës në Bruksel.

Nga Tirana, ambasadori gjerman Karl Bergner dhe ambasadori holandez Reinout Vos theksuan se respektimi i shtetit ligjor, pavarësia e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit mbeten kushte të panegociueshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Sipas analizës së DW, Shqipëria ka kaluar një tjetër prag politik drejt Europës, por ritmi dhe suksesi i negociatave do të varen nga zbatimi real i reformave dhe funksionimi efektiv i institucioneve demokratike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related