Media ndërkombëtare Deutsche Welle ka analizuar protestën e opozitës së 22 marsit në Tiranë, duke e përshkruar si një tubim pa një skenar të qartë, por me të njëjtat mjete dhe retorikë si më parë.
Sipas DW, ndonëse protesta u cilësua nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, si një “kryengritje paqësore”, ajo u shoqërua me incidente të dhunshme, përfshirë hedhje molotovësh, fishekzjarre dhe përplasje me policinë, e cila ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë.
Protesta zgjati rreth tre orë dhe nuk pati fjalime, ndërsa u përsëritën thirrjet për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Marshimi përfshiu disa institucione kryesore në kryeqytet, duke nisur nga Kryeministria dhe duke vijuar drejt institucioneve të tjera.
Një element i veçantë i evidentuar nga DW ishte simbolika e përdorur gjatë protestës. Ndryshe nga herët e tjera, mungonin flamujt amerikanë, ndërsa u vunë re flamuj të Bashkimit Evropian dhe të Gjermanisë, në një moment kur opozita ka shtuar kritikat ndaj qeverisë për procesin e integrimit europian.
Gjithashtu, data e protestës – 22 marsi – u cilësua si simbolike, pasi përkon me fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 1992.
Në përfundim të protestës, Berisha deklaroi se aksioni opozitar do të vijojë, duke theksuar se “nuk ka paqe me Edi Ramën, vetëm betejë”.
