Drejtuesi i Nismës Thurje, Endri Shabani ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste zoti Shabani theksoi nuk mjafton vetëm burgu për Ilir Metën, Sali Berishën e Edi Ramën, por shtoi se atyre duhet t’ju sekuestrohet e gjithë pasuria që e kanë vendosur nga floriri, kromi dhe nafta që kanë vjedhur këto 34 vite.
-Zoti Shabani, si e shihni ngritjen e komisionit anti-korrupsion te PS? Opozita akuzon PS se synon të kontrolloje SPAK dhe drejtësinë…
Synimi është i qartë: të frenojë hovin që SPAK ka marrë kundër korrupsionit. Se sa do t’ia arrijë mbetet për tu parë, por kini parasysh që për të arritur atë që qeveria synon i duhen edhe votat e opozitës. Kështu që e gjitha do të varet nga integriteti i opozitës. Nëse e kanë lojë, do bashkojnë votat siç bënë për amnistinë penale.
-Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi ka shfaqur ambicien për të pasuar të atin në krye të partisë. A është normale që partia të trashëgohet dhe sa të lehtë do e ketë ajo?
Shiko Sali Berisha e ka privatizuar Partinë Demokratike. Kjo parti, që u krijua nga një grup intelektualësh në fillim të viteve 1990, sot i ka mbetur vetëm Sali Berisha dhe familja e tij. Kjo parti që u themelua si shpresë për një Shqipëri të lirë, sot është kthyer në bunker për familjen e Sali Berishës. Kështu që nëse ia trashëgon vajzës, djalit, nuses apo dhëndrit, nuk ka asgjë që na surprizon, sepse nga Partia Demokratike e dikurshme nuk ka mbetur më asgjë. Për ironi të fatit nuk i ka mbetur as emri.
-Sali Berisha vijon te qëndrojë në “arrest shtëpie”, ku madje në disa raste ka thyer edhe masën e sigurisë, pasi ka futur njerëz në shtëpi. Kush mendoni se do jete fati Sali Berishës me drejtësinë?
Unë mendoj që Sali Berisha u vetëmbyll në majë të kullës, pasi kështu zgjidh problemet që ka me sigurinë e tij, maskon problemet me shëndetin dhe mungesën e staminës për të bërë fushatë, sikurse edhe justifikon trashëgimin e partisë tek fëmijët e tij. Kështu që mos e shikoni arrestin e tij si një gjë që ai nuk e ka zgjedhur me vullnet të plotë. Në lidhje me fatin e tij, unë jam i bindur që rruga politike e Sali Berishës ka mbaruar. Ky kapitull është mbyllur.
-Edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka llogari të hapura me drejtësinë, pasi po hetohet për disa afera korruptive. Mendoni se edhe Meta do të ketë fatin e Berishës?
Unë mendoj, por edhe dëshiroj, që Ilir Meta, ashtu si Sali Berisha dhe Edi Rama të mbajnë përgjegjësi për gjendjen ku e kanë sjellë Shqipërinë deri më sot, dhe për tradhtinë që i kanë bërë këtij populli, i cili iu ka dhënë aq shumë. Nuk shoh se si Meta do arrij t’i shpëtojë burgut, por kjo nuk mjafton. Ky popull duhet të marrë mbrapsh pasurinë që i është vjedhur këto 34 vite, dhe këtu nuk po flas vetëm për floririn, por edhe për kromin, naftën dhe mundin e shqiptarëve të zakonshëm. Prandaj Shqipëria do të ketë drejtësi vetëm kur pasuria e vjedhur të konfiskohet dhe këta të jetojnë jetën e votuesve të tyre: në shtëpi me qira, duke zgjedhur mes ushqimeve dhe ilaçeve, dhe pa mundësi për të bërë pushime. Kështu, për një herë të vetme, ata do ndjejnë mbi kurriz pasojat e mënyrës se si janë sjellë me këtë popull.
