Basel Action Netëork (BAN) vijon ta ndjekë me shqetësim çështjen e transportit të mbetjeve të dyshuara të rrezikshme, që priten të mbërrijnë në Shqipëri këtë të diel. Pas letrës së dërguar dje autoriteteve më të larta shqiptare, drejtori ekzekutiv i BAN ka nisur sot një letër të dytë ministres Mirela Kumbaro, ku ndër të tjera përsërit kërkesën për analizimin e mbetjeve që përmban anija e kompanisë Maersk, e cila mbërrin më 27 tetor në portin e Durrësit.
Letra
“E nderuara Ministre, znj. Mirela Kumbaro Furxhi dhe znj. Elvana Ramaj, Në lidhje me mbërritjen e pritshme më 27 tetor të 102 konteinerëve të dyshuar me mbetje të rrezikshme, ju bashkëngjisim një letër të dytë, duke përsëritur një protokoll për marrjen e mostrave, analizimin dhe trajtimin e duhur të materialit. Gjithashtu, angazhohemi që të jemi të pranishëm në Shqipëri për të marrë një mostër të ndarë të materialit, me qëllim kryerjen e analizës së saktë të mbetjeve në fjalë. Jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë në çdo mënyrë të mundshme. Ju lutemi mos hezitoni të na kontaktoni. Me respekt, Jim Puckett, Drejtori Ekzekutiv Basel Action Network”, shkruan “vna.al”.
Skandali
BAN ishte organizata që dha alarmin për skandalin e transportit të lëndëve të dyshuara toksike nga porti i Durrësit drejt Tajlandës. Kjo çështje po hetohet nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka pyetur drejtues të kompanisë KURUM, të kompanisë SOKOLJA dhe zyrtarë të tjerë. Skandali i mbetjeve të dyshuara toksike u debatua dhe në një seancë plenare të Kuvendit, por që prej asaj kohe, kjo çështje ka mbetur në harresë, qoftë nga politika apo media.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë se më shumë se 2100 tonë mbetje të dyshuara të rrezikshme, që ndodhen në 102 kontejnerë të nisura nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës do të mbërrijnë në Shqipëri më 27 tetor 2024. Kontejnerët do të vijnë në portin e Durrësit përmes portit italian të Gioia Tauro. Dyshohet se kontejnerët janë të mbushur me pluhur furre së çelikut i mbledhur nga kompania Kurum. “Aktualisht, të gjithë kontejnerët janë lënë mënjanë në portin e vogël të Asyaport, Turqi, në pritje të mbërritjes së anijes turke të kontejnerëve BURAK BAYRAKTAR, e cila pritet të lëvizë 102 kontejnerët në fjalë nëpërmjet Gioia Tauro, Itali, përsëri në Durrës”, thuhet në njoftimin e Basel Action Network.
Prej muajsh institucionet shtetërore përfshirë edhe drejtësinë janë vënë në lëvizje për 2 anije që dyshohet se kanë eksportuar drejt Tajlandës 816 tonë mbetje, të prodhuara nga kompania KURUM, dhe transportuar në portin e Durrësit nga kompania Sokolaj SHPK. Nga informacionet që Report TV ka mbledhur mbi këtë çështje, rezultonte se KURUM i ka shitur një kompanisë ‘Sokolaj shpk’ 2800 tonë oksid hekur për 40.800 dollarë. Vetë qeveria ka deklaruar se nuk do të pranojë mbetje apriori pa analiza.
