Në emisionin Vetting në News24 është trajtuar sot çështja e rindërtimit në Bashkinë e Vorës, një nga njësitë e prekura si pasojë e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019.
Qytetarët, edhe 5 vjet pas tërmetit, ose ndodhen në banesa me qira, ose në rastet e pamundësisë për të paguar, kanë gjetur si zgjidhje kontejnerët.
Por ka nga ata që jetojnë në kasolle, bashkë me familjarët e tyre, me shpresën se një ditë do t’u bëhet realitet premtimi për të pasur një banesë të re.
“Nuk kishim mundësi të paguanim qiranë dhe përfunduam në kontejner.
As një thes me miell për familje nuk na kanë sjellë, por dy shtëpi një thes. Një kasolle me dërrasa të na bëjnë”, shprehen banorë të Vorës, ndërsa luten që të kenë një banesë për të jetuar të lumtur vitet e jetës që u kanë mbetur.
Prej ditës kur panë t’iu shembej para syve gjithçka që kishin mundur të ndërtonin, mbetën të bllokuar në një kalvar dhimbjeje, pa mundur të rikuperojnë asgjë.
Në këtë kontejner të ftohtë, jetojnë katër pleq. Bedrie Breti me bashkëshortin por edhe Naxhire Disha me bashkëshortin e saj. Ata ishin komshinj para se të shembej pallati ku banonin. Prej pesë vitesh jetojnë të detyruar si një familje e vetme. i kanë kaluar këtu 5 dimra e do ta kalojnë edhe dimrin e këtij viti, sepse nuk shpresojnë më që mund të kenë banesën e tyre.
Katër pleqtë janë të ngujuar në këtë hapësirë të ngushtë, vetëm 15 m2, të mbuluar nga një çati teneqeje që nuk i mbron as nga vapa as nga i ftohti.
“S’jemi duke jetuar 500 vjet. Në kontejner jetojmë bashkë 2 familje, ishim komshi të dy atje, kemi ardhur këtu jemi bërë vëlla e motër “, shprehet banorja , që dikur banonte në një pallat që është shembur.
Ajo nuk kishte mundësi të paguante qiranë, dhe bashkë me komshiun, përfunduan në kontejner.
Ata jetojnë në kushte shumë të vështira, në një ambient të vogël, 4 persona së bashku. “Me djalin tënd nuk mund të jetosh në këto kushte, por nga halli e kemi shtuar me teneqe dhe çarçafë”, shprehet e moshuara
Në këtë kontejner ata ndajnë një realitet tragjik të mbushur me dhimbje, trishtim e pa shpresë. Madje ata ndjehen të denigruar.
“Kemi nxjerrë rreckat e këto dyshekët jashtë sepse na i ka lagur shiu, ka rënë shi i madh dy net më parë.
Unë fle këtu, burri atje. Nuk kam fuqi të hipi atje lart te krevati. Jemi si në kotec të pulave.
