Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani u qëndroi shkaqeve të ankimit ndaj konfirmimit në detyrë të prokurores së Vlorës, Flora Çela duke kërkuar shkarkimin e saj për probleme në kriterin e profesionalizimit dhe në vlerësimin tërësor të çështjes në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia. Dumani i filloi bisedimet përfundimtare në këtë çështje lidhur me hetimin e kryer nga prokurorja Çela për 16 tonë cannabis sattiva të kapur në Vlorë në vitin 2017.
Ai vërejti se çështja ishte regjistruar për prodhim dhe shitje të narkotikëve, armëmbajtje pa leje dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Sipas Dumanit, sasia e konsiderueshme e drogës, e paketuar dhe gati për transport, sasia e armëve dhe municioneve të sekuestruara, si dhe arrestimi zyrtarëve publikë, tregonte se kishte një organizim të gjerë për mundësimin e trafikimit të 16 tonëve hashash. Ai theksoi se subjekti dështoi që të shpjegojë gjatë hetimit administrativ dhe në Kolegj, përse nuk e ka transferuar atëherë çështjen në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi dukej se bashkëpunimi kishte qenë i posaçëm. Deklarimi i subjektit se Krimet e Rënda atëherë ishin mbyllur, u gjet i pavërtetë. Dumani solli në vëmendje se ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte vijuar të ushtronte veprimtarinë edhe dy vjet pas regjistrimit të këtij procedimi të hetuar prej subjektit. Po ashtu, një DVR e sekuestruar në një lokal, prej nga mund të siguroheshin të dhëna për bashkëpunëtorët dhe organizatorët e sigurimit dhe trafikimit të kësaj lënde narkotike, ishte kqyrur një vit më vonë. Sipas procesverbaleve të mbajtur, është shënuar se nuk funksiononte, ndërkohë që Dumani theksoi se kqyrja duhej të ishte realizuar nga ekspertë.
