Doganat/ Gent Gazheli fsheh skandalin e 600 ton mish Brazili që u importua nga Kosova

Data

Në emisionin investigativ “Stop” u sollën raste konkrete, se si një sasi prej të paktën 1 mijë kilogramë mish Brazili u soll në Shqipëri nga “Apetit Group” si produkt i Kosovës. Në pamjet e emisionit u shfaqën copat e filetos të paketuara në qese plastmasi dhe, të gjitha të prera në një pozicion të caktuar, ku dyshohet se më parë ka qenë etiketa e vendit të origjinës, Brazilit.

Megjithatë, administrata doganore shqiptare, nën drejtimin e Gent Gazhelit, në rastin më të mirë, duket se ka qëndruar tërësisht indiferente për të verifikuar këtë skandal të dyshuar dhe përmasat e tij.

Boldnews.al” e pyeti Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave nëse ka nisur ndonjë verifikim për këtë situatë dhe cilat janë rezultatet e mundshme.

Përfaqësuesi e drejtorit Gent Gazheli iu përgjigjën redaksisë, duke e orientuar që informacionin për zhdoganimet e produkteve të kafshëve të gjalla ta kërkonin pranë institucioneve të përgjegjësisë ushqimore, më konkretisht pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Bazuar në legjislacionin kombëtar: Import/eksport” është hyrja dhe/ose dalja fizike e ngarkesave, që i nënshtrohen kontrollit veterinar në territorin e Republikës së Shqipërisë, përmes pikave të miratuara të inspektimit kufitar. Importi, eksporti dhe transiti i dërgesave me kafshë të gjalla, produkteve mjekësore veterinare, produkteve embrionale të kafshëve, produkteve me origjinë shtazore,etj lejohen vetëm në pikat e inspektimit kufitar (PIK) dhe i nënshtrohen kontrollit veterinar nga inspektorët veterinarë të kufirit”, deklaron Drejtoria e Doganave për “Boldnews.al”

Në përgjigjen e saj, Drejtoria e Doganave ka devijuar tërësisht nga pyetja. Interesi mediatik kundrejt këtij institucioni lidhej me taksën doganore, e dyshuar si e shmangur.

Kjo shmangie nga përgjegjësia krijon dyshimet se Dogana e drejtuar nga Gent Gazheli po tenton të fshehë dhe të mbulojë skandalin e dyshuar me produktit ushqimor.

Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u fsheh nën parimin e konfidencialitetit, për t’iu përgjigjur interesit të “Boldnews.al” se cilat janë kompanitë shqiptare që kanë importuar mish nga subjekti “Apetit Group” në Kosovë.

Çdo informacion i marrë nga autoritetet doganore gjatë kryerjes së detyrave të tyre, i cili është i një natyre konfidenciale ose që është marrë në mënyrë konfidenciale, mbulohet nga kushti i sekretit profesional. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 2, të nenit 48, ky informacion nuk jepet nga autoritetet kompetente doganore, pa lejen e shprehur të personit ose autoritetit që e ka dhënë atë”, thotë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Në foto: Selia e kompanisë “Apetit Group” në Kosovë

Megjithatë, “Boldnews.al” ka siguruar listën e subjekteve shqiptare që kanë importuar mish për vitin 2023 nga “Apetit Group” në Kosovë.

Lista përbëhet nga 12 subjekte, kur përfshihen edhe kompani të rëndësishme në tregun shqiptar. Sasia e mishit të importuar për vitin 2023 nga “Apetit Group” është saktësisht 598.702 kilogramë mish (afërsisht 600 ton).

Gjithashtu, të dhënat e siguruara nga redaksia, dëshmojnë se aktiviteti i importit të mishit “kosovar”, por i dyshuar si nga Brazili, prej “Apetit Group” drejt kompanive shqiptare, ka vijuar pa ndalim edhe gjatë vitit 2024. Këto të dhëna po përpunohen nga redaksia.

Kompania “Apetit Group”, e cila operon prej vitesh në Kosovë, mohoi gjetjet e emisionit investigativ, në një deklaratë të lëshuar disa muaj më parë. Shoqëria private deklaroi se produkti i importuar në Shqipëri është mish nga gjedhët e Kosovës.

Këto qëndrime deklarative të kompanisë nuk janë konfirmuar nga Doganat Shqiptare pasi, siç u pranua për “Boldnews.al”, nuk duket se kanë kryer ndonjë verifikim për origjinën e vërtetë të mishit të importuar në vendin tonë nga “Apetit Group”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related