Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe “gjysma” tjetër e tij, lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik e kanë bërë më se të dukshme se për ta Rusia është “Zoti”. Dhe nuk lënë tu ikë asnjë mundësi për ta treguar. Teksa të gjithë po distancohen nga Rusia dhe po vendosin sanksione ndaj saj, presidenti serb i RS-së sjell më afër Ballkanit zyrtarët e Vladimir Putinit. Ai ka lejuar hapjen e ambasadës ruse në Banja Lukë. Madje Dodik ishte pjesëmarrës në këtë event. “Marrëdhëniet tona me RS-në po përjetojnë një rritje të madhe”. Kështu ka thënë Sergej Lavrov, ministër i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, duke folur përmes videolidhjes me rastin e hapjes zyrtare të Ambasadës të Federatës Ruse në Banja Lukë, në pamundësi për të marrë pjesë fizikisht.
Hapja e Ambasadës
“Më vjen mirë që ju mirëpres në ceremoninë e hapjes së Ambasadës së Federatës Ruse në Banja Luka. Së pari, dëshiroj të përgëzoj kolegët dhe miqtë tanë në RS për këtë ngjarje të mrekullueshme. Ne kemi punuar për këtë qëllim për disa vite. Është bërë një punë e madhe, rezultatet e së cilës janë të dukshme sot. Momenti është vërtet historik. Nuk është një ngjarje e përditshme që në botë hapet një seli e re diplomatike e Federatës Ruse. Jemi shumë të lumtur që kjo po ndodh në RS mike. Zgjerimi i trupit diplomatik në Banja Luka dëshmon për rëndësinë dhe autoritetin në rritje të RS-së si pjesëmarrëse në proceset ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”, theksoi Lavrov. Lavrov falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në realizimin e këtij projekti.
Tempulli ruso-serb
Ndërsa kreu i atjeshëm, Milorad Dodik , vlerësoi Presidentin Vladimir Putin, duke pretenduar se ai është në “anën e paqes”. “Ne besojmë se ky projekt është komponenti më i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve vëllazërore që lidhin kombet tona,” tha Lavrov, duke njoftuar se hapja e konsullatës do të pasohet nga ndërtimi i një tempulli ruso-serb si një “shpirtëror dhe kulturor”. qendër në Banja Luka”. “Marrëdhëniet tona me Republikën Srpska po përjetojnë një rritje të madhe sot,” vuri në dukje Lavrov. Ai shtoi se përfaqësia diplomatike-konsullore u hap në “Republika Srpska mike”. Në fjalimin e tij, presidenti i atij entiteti të Bosnjë-Hercegovinës vlerësoi presidentin rus Putin. “Jam absolutisht i sigurt se presidenti Putin është ende në anën e paqes, por paqes që përfshin mbrojtjen e interesave kombëtare dhe strategjike”, tha Dodik. Në të njëjtën kohë, ai kujtoi se Republika Srpska nuk lejoi vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë pas fillimit të agresionit kundër Ukrainës. “Ne kemi ëndrrat tona, të cilat do të dimë t’i realizojmë. Do t’i ndajmë me miqtë tanë rusë, sepse ata kanë treguar se na kuptojnë në kohë të vështira për ne,” vuri në dukje Dodik.
Kuvendi i Madh Serb
Kujtojmë se lidhjet me Rusinë janë rikthyer në vëmendje edhe pas mbajtjes së Kuvendit të Madh Serb në Beograd më 8 qershor, për të cilin është thënë se është një manovër ruse. “Kuvendi gjithëserb” është një projekt i rrezikshëm i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili lidhet drejtpërdrejt me përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar Evropën Juglindore dhe për të larguar vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë, tha kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviç. Edhe ambasada amerikane në Sarajevë tha të hënën se përfundimet e miratuara në Kuvendin gjithserb lidhur me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit dhe shtetin e pavarur të Bosnjë dhe Hercegovinës, nuk paraqesin mbrojtje të marrëveshjes, siç pretendojnë autorët, por janë një sulm i qëllimshëm ndaj asaj marrëveshjeje dhe institucioneve shtetërore të Bosnjës e Hercegovinës. Mirëpo, presidenti i Serbisë është përgjigjur duke akuzuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Sarajevë se ka “shkaktuar krizën” në Bosnje e Hercegovinë (BeH). “Si, ku dhe prej kur shkruhet diku se prona është e autoriteteve qendrore dhe jo e entiteteve”, shkroi Vuçiç në llogarinë e vet në Instagram. Pra, dukshëm, plani i Rusisë dhe urdhrat që vijnë prej saj, kanë nisur të zbatohen, pa humbur aspak kohë.
