Problemet e vazhdueshme me shërbimet online të portalit e-Albania dhe sistemet e menaxhuara nga AKSHI po kthehen në një shqetësim serioz për bizneset dhe profesionistët e financës në vend.
Ekonomistë, financierë dhe kontabilistë raportojnë vështirësi të përditshme në përdorimin e platformave, veçanërisht në një periudhë kritike si ajo e dorëzimit të bilanceve për vitin 2025.
Sipas financerit Armando Vrushi, përdoruesit përballen shpesh me mosfunksionim të sistemit, ku faqet nuk hapen ose mbeten të bllokuara, ndërsa asistenti virtual “Diella” nuk jep përgjigje për problemet teknike.
Situata bëhet edhe më e rëndë për shkak të afateve ligjore të rrepta. Çdo vonesë në dorëzimin e dokumenteve shoqërohet me gjoba të konsiderueshme, që rëndojnë mbi bizneset, pavarësisht se shkaku lidhet me mosfunksionimin e sistemit.
Platforma “Self Care” e tatimeve, sipas përdoruesve, del shpesh jashtë funksionit gjatë ditës, duke i detyruar profesionistët të presin ose të tentojnë vazhdimisht për të përfunduar detyrimet e tyre.
Kjo situatë krijon stres të lartë, veçanërisht për ekonomistët që menaxhojnë disa biznese njëkohësisht dhe duhet të respektojnë afate të shumta raportimi.
Nga ana tjetër, AKSHI ka deklaruar se shërbimet janë funksionale dhe problemet lidhen kryesisht me ngarkesën e lartë në sistem.
Megjithatë, përdoruesit kundërshtojnë këtë qëndrim, duke theksuar se ndërprerjet janë të shpeshta dhe zgjasin prej muajsh, duke ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin ekonomik.
Në një kohë kur Shqipëria ofron mbi 1200 shërbime online dhe synon dixhitalizimin e plotë të administratës, bizneset kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme: stabilitet dhe funksionalitet real të platformave që përdorin çdo ditë.
