Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 08:50 teksa ecte në këmbë sapo kishte lënë djalin e vogël në kopsht në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, tre persona goditën me sende të forta, avokatin Sokol Mëngjesi, ish-dekan i Fakultetit të Drejtësisë, i njohur nga publiku si mbrojtës i Sali Berishës. Avokati pësoi fraktura të shumta në kokë dhe u dërgua në spitalin e Traumës nën kujdesin e mjekëve, fillimisht në gjendje të stabilizuar, siç thanë burime zyrtare nga bluzat e bardha. Por, me kalimin e orëve, gjendja e avokatit mësohet se u përkeqësua dhe pas drekës kaloi në gjendje të rëndë shëndetësore, i intubuar, në reanimacion.
Autorët
5 personat ishin të përfshirë në dhunën ndaj avokatit. Policia ka prangosur organizatorin Dritan Nano, ndërsa njëri prej dhunuesve Dorian Alia është vetëdorëzuar. 3 të rinjtë e tjerë Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Romario Tabaku janë në arrati, ndërsa policia ka vënë në dispozicion 20 mijë euro për këdo jep informacion për vendndodhjen e tyre. Dhunën barbare ndaj avokatit e ushtruan Dorian Aliaj 32 vjeç, Elton Kasaj 33 vjeç dhe Drivald Alia vetëm 21 vjeç. Nga këqyrja e pamjeve filmike hetuesit kanë kuptuar se autorët dhe avokati Mëngjesi kanë diskutuar fillimisht me njëri-tjetrin. Më pas ata e qëllojnë me leva, doreza metalike e sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime në kokë dhe në trup. Më pas janë larguar me vrap. Për t’u larguar përfundimisht nga vendngjarje tre dhunuesit i priste me makinë Romario Tabakun 26-vjeç.
Detajet
Ngjarjen e zbardhi vetë drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj, në një konferencë të posaçme për shtyp. Të katër të rinjtë ishin organizuar për të dhunuar avokatin nga Dritan Nano, 58 vjeç, i cili ishte klient i studios Ligjore “ALTERUM SHPK” të Sokol Mëngjesit. Nano ishte një prej 8 trashëgimtarëve të pronës në digën e Liqenit ku janë ndërtuar kullat nga biznesmeni Bashkim Ulaj. Ai së bashku me trashëgimtarët e tjerë ka fituar gjyqin deri në apel, të asistuar nga avokat Mëngjesi, por më pas ai i vetëm ka refuzuar të paguajë detyrimet sipas kontratës. Për këtë avokati ka hapur gjyq ndaj Nanos, proces që e ka fituar dhe përmbarimi ka bllokuar pronën, duke mos e lejuar që të vijojë shitja. Një muaj më parë të dyja palët kanë pasur një takim por s’kanë gjetur dakordësi. I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore, ndërsa në fund ka zgjedhur dhunën. E gjithë kjo histori nxjerr blof ish Kryeministrin Sali Berisha i cili sapo doli lajmi i dhunimit, përmes një deklarate të Rithemelimit, akuzoi se ngjarje ishte një hakmarrje primitive e Edi Ramës për shkak se avokat Mëngjesi ishte mbrojtës i ish Kryeministrit në GJKKO. Kërkimet për tre autorët në arrati vijojnë ndërsa janë përfshirë edhe forcat RENEA dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë. Ndwrkohw Policia vë në dispozicion 20 mijë euro për këdo që jep informacion që çojnë në kapjen e autorëve që sulmuan avokatin Sokol Mëngjesi. Kujtojmw se nga viti 2009, Mëngjesi ka marrë licencën e avokatit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë Shqipëri. Ai është një nga avokatët e ish-kryeministrin Sali Berisha në hetim nga SPAK për aferën “Partizani”, por ka pasur edhe të tjerë klientë VIP, kur ka mbrojtur Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton në çështjen e inceneratorit të Tiranës.
