Kohë zgjedhjesh, vakt fushate, cikël që risjell bashkë me ekuinoksin pranveror dhe disa nga dilemat e vjetra. Zhvillimet e sotme shpesh janë të kushtëzuara nga trashëgimia, veçanërisht ajo e mungesës së kulturës politike. Pesë dekadat e autarkisë komuniste bënë që izolimi ynë i detyrueshëm të zinte mirë rrënjë dhe duket gati-gati e pamundur të shpëtojmë prej prangave që nuk na lënë të ngremë kokë nga hallet e vogla të përditshme, të cilat i shumojmë me thashetheme kafenesh nga mëngjesi në darkë. Në vend që lajmi ndërkombëtar të imponohet këtu te ne, përkundrazi, ia gjejmë anën të bëhemi ne lajm për botën dhe, kuptohet, gati gjithnjë për keq. Nuk ka shqiptar që në kohë zgjedhjesh nuk shndërrohet në politikan me kohë të plotë, por problemi te ne është se zgjedhjet nuk kanë fund. Shpesh duket se kjo historia e re paskomuniste evoluon sipas një cikli dhe logjike të caktuar. Ajo që francezët e quajnë histoire événementielle, pra histori që tregohet/ rrëfehet bazuar në ngjarje të caktuara, te ne vërtitet rreth zgjedhjeve, të cilat ngjajnë të pambarimta. Madje dhe historitë personale, apo data të veçanta si dasma apo morte, ka mundësi të fillojnë e të marrin si pikë referimi datat e zgjedhjeve iks apo ipsilon.
Thënia e famshme e Kavur-it një kolegut të tij, se “nëse do të bënim për veten aq sa kemi bërë për vendin tonë, do të ishim maskarenj të mëdhenj”, gjen reflektim më tepër se kudo në Ballkanin e trazuar, ku gjen që nga politikanë nacionalistë deri te tallava politika, me rezistencë të admirueshme. Përjashtimin e zakonshëm e bën klasa politike shqiptare, të cilën rrallë e bezdisin ngjarje që ndodhin përtej sinoreve parokiale. Sinjalet e gjeopolitikës së rrëshqitshme, diskriminimet e pakicave shqiptare në vendet fqinje, apo çështje të çfarëdoshme të karakterit pak më të gjerë nga bataku ynë ku llokoçitemi prej kohësh të pashqetësuar, duket se bëjnë pak apo aspak përshtypje këndej nga mëhalla jonë. Duket se zërat që vijnë nga jashtë këtu përplasen heshtur si valë të mbytura, ndërkohë që jehonën kryesore dhe shpesh të vetme e mbart kumti politik, aktualisht ai elektoral, i cili përçohet mes tallazesh emblematike që duken se kanë shoqëruar fatin e shqiptarit kaherë.
Procesi i zgjedhjeve duket se ndërpritet vetëm kur fillon fushata paraprake e procesit të ardhshëm zgjedhor dhe shyqyr që i kemi të alternuara një herë në dy vjet; ndryshe, me zgjedhje të parakohshme dhe alternativa të ngjashme i binte që gjithë koha të ndahej në fushatë, numërim dhe kontestim. Çështjet vërtet të mëdha, ato që synojnë një pakt elite për kapërcim ngërçesh artificiale, për reforma të mëdha, në të drejtat pronësore, në reformat antikorrupsion dhe ngritjen e një mekanizmi efikas sanksionimi për të bërë të mundur që ligjet në letër të zbatohen, kemi arritur t‘i banalizojmë në atë farë feje sa duken si llogje kavaje, ndërsa ato që janë realisht të tilla, i kthejmë në lajm kombëtar në një marrëzi të çastit.
