Debatet në Kuvend janë ashpërsuar sërish, teksa Gazment Bardhi ka akuzuar drejtuesin e seancës, Niko Peleshi, për moszbatim të rregullores dhe mungesë guximi për t’i kërkuar Edi Rama të paraqitet në Kuvend.
Sipas Bardhit, kryeministri po shmang përgjegjësitë kushtetuese duke deleguar interpelancat te ministrat, ndërsa detyrimet, sipas tij, nuk mund të delegohen.
Ai solli në vëmendje edhe një deklaratë të mëparshme të Ramës, duke theksuar se vetë kryeministri ka pretenduar se disa detyra ministrore nuk delegohen, ndërsa në rastin e tij kjo po ndodh.
“Ju e keni degraduar këtë Kuvend dhe nuk keni guxim t’i kërkoni Ramës të vijë këtu”, u shpreh Bardhi.
Gjithashtu, ai ngriti shqetësimin për mungesën e përgjigjeve nga institucionet shtetërore ndaj kërkesave për informacion të deputetëve. Sipas tij, disa kërkesa kanë mbetur pa përgjigje për muaj të tërë, përfshirë ato të deputetëve Enno Bozdo dhe Albana Vokshi.
Bardhi përmendi edhe institucione si KESH dhe AIDA, duke theksuar se mungesa e transparencës cenon funksionimin demokratik të Kuvendit dhe procesin e integrimit europian.
Përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend vijojnë të thellohen, sidomos për çështje që lidhen me përgjegjshmërinë institucionale dhe rolin e kryeministrit në raport me parlamentin.
