Ditën e nesërme, e martë 20 shkurt, opozita ka thirrur protestë kundër qeverisë dhe pritet që tubimi të nisë në orën 17:30 para Kryeministrisë.
Mësohet se në protestë, ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, do të jetë ‘prezent’ përmes një videomesazhi, i cili ose do të jepet live ose do të jetë me regjistrim.
Gjithashtu mësohet se opozita ka marrë leje në polici për rreth 5 orë për zhvillimin e protestës.
Kujtojmë se gjatë paradites së sotme, policia njoftoi dhe planin e masave për mbarëvajtjen e tubimit.
Për protestën do të angazhohen 1100 efektivë policie, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës, ndërsa RENEA do të jetë në gatishmëri. Gjithashtu do të ketë dhe autobote uji, ndërsa njoftohet dhe për një kordon me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj.
Dy orë para nisjes së protestës dhe deri në përfundim të saj, segmentet rrugore që do të bllokohen janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
