Dy vite pas vrasjes së rëndë të Liridona Ademajt, një nga krimet më tronditëse të viteve të fundit në Kosovë, zbardhen detaje të reja nga dëshmia e të akuzuarit Granit Plava, i cili së bashku me Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën po përballet me drejtësinë për ekzekutimin makabër të 29 nëntorit 2023.
Liridona u vra brutalisht para syve të fëmijëve të saj, një akt që tronditi opinionin publik dhe që vazhdon të lërë plagë të hapura në familjen Ademaj. Në kërkim të drejtësisë, familjarët kanë kërkuar dënim të përjetshëm për tre të akuzuarit.
Dëshmia e Granit Plavës: Krimi ishte i planifikuar
Dokumenti i Forenzikës Psikiatrike, siguruar nga gazetarja Qëndresa Tërshani (Klan Kosova), tregon qartë se vrasja nuk ishte akt i çastit, por një plan i përgatitur nga vetë Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Liridonës.
Sipas Plavës, Murseli ishte ai që përgatiti armën dhe i dorëzoi municionin:
“Naimi ma la armën me 5 fishekë në shanzher dhe 15 të tjera… ma qiti një kafe, mu më erdhi ajo energjia e madhe.”
Plava rrëfen se dy ditë para krimit kishin dalë së bashku me Naimin dhe Kokallën, ndërsa ditën kritike kishin lëvizur për në Prishtinë me dy makina.
“Gjithmonë kam qenë pas tyre” – ndjekja deri te vendi i ekzekutimit
Plava thotë se e kishte ndjekur Naimin gjatë gjithë ditës ndërsa ai lëvizte me Liridonën dhe fëmijët. Në Graçanicë, kur familja hyri në një lokal, Plava priti “instruksionet”.
“Kur dolën prej kafes, unë isha pas tyre. Kur Naimi u ndal te shtëpia, i dola përpara.”
Pikërisht këtu, sipas Plavës, Naimi dha urdhrin e tmerrshëm:
“Gjuj, gjuj” – më tha Naimi.
Plava tregon se Naimi hapi pak xhamin e makinës ku ishte ulur Liridona, dhe në atë moment ai qëlloi në drejtim të saj.
Arratisja dhe arrestimi
Pas të shtënave, Plava rrëfen se u largua me shpejtësi:
“U nisa drejt teposhtë, me kerr shkova në shpi. Të nesërmen mora vesh që ajo ka dek. Pas dy ditësh erdhi policia dhe më arrestoi.”
Ngjarja marramendëse ka zbuluar një urdhëresë të drejtpërdrejtë, një motiv të paqartë, dhe një plan të realizuar me qetësi të ftohtë kriminale.
Familja Ademaj: “Dënim i përjetshëm për të tre”
Familja e Liridonës vazhdon të kërkojë drejtësi të plotë, duke theksuar se vetëm dënimi maksimal mund të pasqyrojë peshën e krimit.
Gjykimi për tre të akuzuarit po vijon, ndërsa dëshmitë e reja si ajo e Plavës po zbulojnë se vrasja ishte një operacion i planifikuar në detaje — një tradhti dhe ekzekutim që tronditi gjithë Kosovën.
