Dëshmia e profesorit nga Italia: Ajo që dëgjova për Kosovën në ‘Sallën e Kollonave’, ku ishin dhe disa parlamentarë të majtë italianë të sapo kthyer nga Beogradi e takimet me Millosheviçin, ishte skandaloze…

Data

Ishte një natë e ftohtë e marsit të vitit 1999. Nuk kishin kaluar shumë ditë nga fillimi i bombardimeve ajrore të NATO-s, që synonin të ndalonin çmendurinë e politikës serbe, gjenocidin dhe masakrat ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Në Rimini, Itali, në ‘Sallën e Kolonave’, në një seancë të hapur për publikun, mblidheshin grupimet e majta politike, me pjesëmarrjen edhe të disa parlamentarëve të kësaj ngjyre politike, që në atë kohë ishte edhe në pushtet, për të diskutuar, propozuar dhe për të kërkuar zyrtarisht pushimin e menjëhershëm të fluturimeve ajrore të NATO-s nga territori italian, drejt Kosovës. Në këtë mbledhje nuk ishte i pranishëm asnjë kosovar apo shqiptar, por kishte të ftuar serbë, madje edhe me tituj akademikë.

kosove lufta

U njoftova rastësisht dhe vrapova për të marrë pjesë. Ajo që dëgjova ishte me të vërtetë skandaloze. U tha se tërë historia e Kosovës, lindja dhe lulëzimi i saj, fillonte e mbaronte me lindjen dhe lulëzimin e shtetit serb, në shekujt XI-XIII-të dhe se tërë kultura serbe, qenka vetëm në Kosovë. Disa nga parlamentarët e majtë, që ishin të pranishëm, sapo ishin kthyer nga Beogradi, ku ishin takuar në mënyrë të fshehtë dhe jozyrtarisht, personalisht me Millosheviçin.

Meqenëse në mbledhje arrita pak me vonesë, një i njohuri im, nën zë me tregoi se Millosheviçi, u paska thënë këtyre zotërinjve, ndërmjet tjerash, se; “Amerika po e bën luftën, vetëm për të vendosë një bazë ushtarake në Kosovë, e se po të ma kërkonin mua, do t’ia jepja dhe nuk do të kishte më arsye që të luftonte kundër Serbisë, prandaj duheshin ndaluar menjëherë bombardimet ajrore të NATO-s”! Ndërmjet tjerash Millosheviçi kishte paraqitur një hartë, ku Kosovës i mungonin territoret në veri, që së bashku me Mitrovicën dhe rajonet minerale, i ishin bashkuar Serbisë.

Një hartë e tillë faktikisht u publikua më vonë edhe nga mediet italiane dhe u paraqit si mundësi zgjidhjeje e konflikteve në Kosovë. Përse paraqiten nga Millosheviçi serbët, sikur nuk janë në gjendje të jetojnë me kombësi të tjera?! Përse tërë tokat ku banojnë edhe serbë, duhet t’i bashkohen Serbisë?! Kush e kërkon këtë?! Fantazma e Millosheviçit?! Kriminelët e tipit “Mlladiç”, apo ndokush tjetër?!

Po të ndjekim një logjikë të tillë, ultra-nacionaliste, Shqipërisë duhet t’i bashkohen shumë territore, që sot ndodhen në Serbi, Maqedoni, Greqi, Kosovë e Mal të Zi. Hungarisë gjithashtu, etj. Një ide e tillë do të thotë të destabilizohen tërë rajonet e Ballkanit. Në interes të kujt ishte një politikë e tillë? U zemërova shumë. Kuptova se ndaj popullit të shumëvuajtur shqiptar të Kosovës, duke i hequr tërë rajonet e industrializuara, dëmtohesh tërë ekonomia e saj si dhe tregu minimal i brendshëm, që siguron ekzistencën e një shteti, po i përgatisnin Kosovës një të ardhme në varfëri.

Propozonin të njëjtën gjë që bënë me Shqipërinë në vitin 1913, kur brenda kufijve të shtetit shqiptar, mbeten vetëm kënetat e malet e thepisura, ndërsa fushat e pllajat pjellore, iu dhanë si dhuratë shteteve fqinjë. Kërkova me këmbëngulje dhe mora fjalën. Pasi bëra një hyrje historike për disa injorantë në lëndën e historisë e, që ishin të pranishëm, fola duke ngritur zërin, se kjo mbledhje ishte një turp për shoqërinë demokratike italiane, e cila kishte jo vetëm detyrë të vazhdonte luftën si anëtare e NATO-s, për ndalimin e agresionit e gjenocidit të çmendur serb në Kosovë, por edhe të mendonte për të ardhmen e këtij rajoni, në mënyrë që popujt tanë fqinjë të jetojnë në paqe, në respekt reciprok e në begati. Një ndarje e Kosovës është e papranueshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related