Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar një dokument të ri strategjik ku theksohet se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane në rajon janë të rëndësishme për sigurinë dhe prosperitetin e Shteteve të Bashkuara.
Dokumenti, me titull “Politika e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, u publikua në faqen zyrtare të DASH-it dhe lidhet me një kërkesë të Kongresit amerikan për një raport mbi strategjinë amerikane në rajon.
Sipas raportit, kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë politike vazhdojnë të minojnë stabilitetin rajonal, ndërsa SHBA kërkon të forcojë partneritetet dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon.
Për Kosovë, dokumenti thekson se SHBA vazhdon të inkurajojë dialogun me Serbi për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët.
Raporti vlerëson gjithashtu rolin e misionit KFOR si element kyç për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë, duke nënvizuar se trupat amerikane do të vijojnë të kontribuojnë në këtë mision.
Në dokument përmendet edhe mbështetja amerikane për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale, si dhe investimet në energji dhe infrastrukturë.
DASH e cilëson Rusi dhe Kinë si aktorë që përpiqen të shfrytëzojnë korrupsionin, paqëndrueshmërinë dhe dobësitë institucionale në Ballkanin Perëndimor për të zgjeruar ndikimin e tyre.
Sipas raportit, Moska përdor tensionet etnike dhe energjinë për të ushtruar ndikim politik, ndërsa Kina zgjeron praninë e saj përmes kredive, investimeve dhe lidhjeve me elitat lokale.
Dokumenti paralajmëron gjithashtu për rrezikun që paraqesin grupet e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor, të cilat sipas DASH kanë lidhje me trafikun e drogës, pastrimin e parave, migrimin e paligjshëm dhe krimin kibernetik.
Raporti thekson se politika amerikane në rajon nuk synon më “ndërtimin e shteteve”, por forcimin e stabilitetit dhe partneriteteve me përfitim të ndërsjellë.
