Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, reagoi ndaj sanksioneve të vendosura nga Departamenti Amerikan i Thesarit ndaj Industrisë Serbe të Naftës (NIS), duke e cilësuar këtë veprim si një goditje të rëndë ndaj Serbisë dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë.
Vuçiç vuri në dukje se NIS, si një ndërmarrje me lidhje të ngushta me interesat ruse, është prekur nga këto sanksione, të cilat janë të lidhura me ligje të vitit 2014 dhe 2021, të miratuara gjatë administratave të Barack Obamës dhe Joe Biden.
Ai theksoi se qëllimi i sanksioneve është të bëhet e pamundur shmangia e tyre dhe njoftoi se do të kërkojë që pronësia ruse të largohet nga NIS. Për këtë çështje, Vuçiç theksoi se do të zhvillonte bisedime me presidentin Vladimir Putin. Ai po ashtu shtoi se do të duhet të nisë një proces transformimi të pronësisë së NIS-it, i cili duhet të miratohet nga Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit amerikan të Thesarit.
Vuçiç e bëri të qartë se transformimi i pronësisë do të duhet të nisë menjëherë dhe se për Serbinë është e ndaluar që të ruajë 49% ose më pak të kapitalit rus në NIS. Ai gjithashtu tha se SHBA ka paralajmëruar mundësinë e konsultimeve me Serbinë lidhur me sanksionet, dhe që këto mundësi do të shfrytëzoheshin sa më shpejt.
