Tashmë, mungesa e librezës së punës nuk është më një pengesë për përfitimin e pensionit të pleqërisë.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët që aplikojnë për pension, edhe në rastet kur nuk disponojnë libreza pune, mund të përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore, për sa kohë deklarojnë saktë periudhat e punës dhe dokumentacionin shoqërues përkatës. Sipas njoftimit zyrtar të ISSH, aplikuesit duhet të plotësojnë me kujdes formularin online të aplikimit, konkretisht Seksionin III, B 1, ku kërkohet të deklarohen periudhat e punës dhe institucionet ose ndërmarrjet ku ka qenë i punësuar individi gjatë viteve të sigurimit.
Gjithashtu, dokumente të rëndësishme si certifikata familjare, certifikata e martesës (në rastet kur të dhënat janë të sakta nga kërkuesit), vërtetimi për periudhën e shërbimit ushtarak për meshkujt, si dhe vërtetimet për pagat kontributive, mund të sigurohen drejtpërdrejt nga ISSH, pa qenë nevoja që qytetari t’i sigurojë vetë. Ky shërbim i digjitalizuar synon të ulë barrën administrative mbi qytetarët dhe të përshpejtojë procesin e verifikimit të të dhënave. Për më shumë informacion mbi procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm, ISSH fton qytetarët të drejtohen në rrugë elektronike përmes ëëë.issh.gov.al, ose të komunikojnë në e-mailin zyrtar. Një ndër risitë më pozitive të viteve të fundit është rritja e aksesit online në të dhënat e sigurimeve shoqërore.
