Gazeta prej kohësh ka denoncuar se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucioni që ka monopol mbi teknologjinë dhe shërbimet digjitale në Shqipëri, është përfshirë në skandale financiar të përmasave të mëdha, ku disa prej tyre po hetohen edhe nga Prokuroria e Posaçme. Skandalet që kemi publikuar i konfirmoi edhe ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, i cili tha se AKSHI është kopshti privat i Edi Ramës, ku miliona euro tendera shkojnë për llogari të baxhanakut të kryeministrit, Armand Frangu.
Ndërsa ish numri 2 i qeverisë, nxori prova të mjaftueshme për të vënë në lëvizje institucionet e drejtësisë, emisioni “Plug” investigoi edhe më tej. Faktet e zbuluara do të ishin tronditëse, pasi kompanitë dhe individët e përmendur nga ish-zëvendës kryeministri kanë marrë plot 53 milionë euro nga AKSHI, por edhe disa kompani të tjera shtetërore. Edhe pse në pamje të parë, kompanitë që kanë përfituar këto tendera kanë krijuar distancim nga familja kryeministrore, gjurmët e lëna pas, ngrenë dyshime të forta për abuzim, konflikt interesi, madje edhe korrupsion.
Gerond Meçe është personi kyç i përfitimit të 53 milionë euro tendera nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Meçe i është futur zyrtarisht biznesin e teknologjisë në vitin 2010, kur familjarët e tij i kaluan aksionet e kompanisë ABS, (Advanced Business Solutions). Në vitin 2011 së bashku me Armand Frangun, baxhanakun e kryeministrit Edi Rama, themelojnë kompaninë B360 dhe vetëm një vit më vonë largohet nga kjo kompani, të paktën në dokumente, pasi lidhjet mes tyre do të vijojnë për shumë vite me radhë, në mos si bashkëaksioner, si dy biznesmenë që ndajnë të njëjtën adresë.
Në shkurt të vitit 2020, Gerond Meçe do të themelonte një tjetër kompani, AIBS, e cila siç rezulton nga dokumentet, bëhet pjesë e xhirimit të milionave të marra nga tenderat e AKSHIT. Le ti marrim me radhë: Sipas të dhënave të depozituara në QKB, Kompania ABS ka një rritje galopante të faturimit nga viti 2012. Nëse në këtë vit, kur Rilindja dhe Edi Rama nuk kishte ardhur në pushtet, ABS e Gerond Meçes kishte një xhiro rreth 131 milionë lekë në vit, sot ajo deklaron si xhiro plot 1 miliardë e 865 milionë lekë, ose 18 milionë euro. Burimi kryesor i të ardhurave të kompanisë së Gerond Meçes mbetet AKSHI, por nuk mbesin pas as institucionet e tjera:
Përfitimet
Në vitin 2016, ABS ka përfituar tender në vlerën 30.000.000 lekë, në vitin 2018 nga Albpetrol ka përfituar 11 milionë lekë dhe në vitin 2019 nga OST rreth 35 milionë lekë të reja. Tenderat e marra nga kjo kompani kanë vijuar periodikisht ku në vitin 2020, KESH do t’i jepte 27 milionë lekë e një vit më vonë edhe OSHEE do t’i jepte 88 milionë lekë tendera. Për vitin 2024 ABS, e Gerond Meçes u shpall fituese e tenderit 15 milionë lekë nga ANTA. VITI 2016/ UKT – Tender 30.000.000 lekë. VITI 2018/ ALBPETROL – Tender 11.000.000 lekë. VITI 2019/ OST – 35.000.000 lekë. VITI 2020/ KESH – Tender 27.000.000 lekë. VITI 2021/ OSHE – Tender 88.000.000 lekë. VITI 2024/ ANTA – Tender 15.000.000 lekë.
