Kasaphanën e të miturve tek “Fan Noli” Edi Rama u ngut t’ia faturojë rrjeteve sociale. Ata na çedukojnë fëmijët që edukon nëna, baba, qeveria, shkolla, shoqëria, policia… çfarë edukon ditën gjithë ky “sistem i së mirës” na e shthurin natën djajtë e Tik Tokut dhe Snapçatit! Zgjidhja? “Të dhemb njëri sy? Kërreje të të shpëtojë tjatri! Të dhemb një dorë? Preje të të shpëtojë tjatra”! – zbulonte doktor Adhamudhi i Çajupit. Edhe Adhamudhi ynë në këtë përfundim të madh ka dalë: “Kërre Tik Tokun që na shthur fëmijën”!
Tingëllon ëmbël për disa. Por asnjë s’e pyet doktor Edin: “Çfarë i ofron ti më të mirë se Tik Toku o kryeministër”? Kur erdhe ministër kulture në qeverinë e Nanos, u ngute të mbyllësh kinematë, Adhamudh! I mori një miku yt që erdhi me ty nga Franca që bën pallate. Kryeqyteti ka një kinema sot. Qytetet s’kanë më asnjë. Në sheshin Skënderbej kishim teatrin e kukullave. Me repertor mediokër dhe performancë për faqe të zezë, por ISHTE ATY. Sot nuk është më. E keni degdisur në të sëmës. Që të mos e vendos pikë më vete, të njëjtin fat pati edhe cirku, i cili gjallon në një sallë mbledhjesh në një qendër tregtare private. RTSH, televizioni publik, e ka një kanal vetëm për fëmijët: “RTSH Fëmije”. Por për turp të Zotit, qarkullon prej vitesh 3-4 filma vizatimorë prehistorik: Ben Ten, Kamioni Leo, Roza dhe Rudi, filmave të kohës kur ishin fëmijë prindërit e fëmijëve të sotëm. Të varfër në sasi, të mjerë në cilësi.
Teatrin kombëtar e shembi dhunshëm duke e shpërngulur në mjediset e një ish laboratori të hidraulikës. Vënia në skenë e shfaqjeve diktohet nga projektet, buxhetet, sponsorizimet dhe jo kriteret artistike. Teatri i varietesë ( estrada ) nuk ekziston më. Albafilm ( këtu s’po harxhoj kohë! ) Fushat, sheshet dhe terrenet ku mblidheshim, luanim dhe kalonim kohën kur ishim fëmijë sot janë pallate ndërsa fëmijët duhet ti marrësh me makinë e ti çosh në periferi, në qendra tregtare, për të luajtur në lisharës. Ndërsa futboll – nëpër fushat private të kalçetove. Tani më thoni, o njerëz të mirë: Ku duhet ta kalojë kohën fëmija ynë? Çfarë alternative ka, përveç celularit dhe rrjeteve sociale, për tu argëtuar , informuar dhe kaluar kohën fëmija ynë? DHE PYETJA NJË MILIARDËSHE PËR DOKTOR ADHAMUDHIN: Çfarë programi ka qeveria jote për kulturën? “Rilindja” është një emër i nderuar, që mbart shumë ngarkesë emocionale për shkak të rëndësisë në përgatitjen e pavarësisë së vendit.
