Një person ka vdekur kur një avion Antonov-3 tentoi të bënte një ulje emergjente sot në Yakutia, Siberi, njoftuan autoritetet lokale.
Aksidenti ka ndodhur në periferi të qytetit Olekminsk, ku “avioni An-3 i linjës ajrore Borus bëri një ulje emergjente”. Fotot nga vendi i rrëzimit tregojnë se avioni i vogël u rrëzua në një zonë të pyllëzuar.
Në bordin e avionit ndodheshin pesë persona, tre anëtarë të ekuipazhit dhe dy pasagjerë, sipas informacionit të Ministrisë së Emergjencave të Republikës Ruse të Sakhasë (më gjerësisht e njohur si Yakutia).
Sipas informacioneve fillestare, piloti u detyrua të tentonte një ulje emergjente për shkak të humbjes së fuqisë së motorit, tha në një postim në Telegram Zyra e Prokurorit të Siberisë Lindore.
