Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për mbylljen e Zyrës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë dhe transferimin e saj në Tiranë, duke e cilësuar këtë veprim si arbitrar, të paligjshëm dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën.
Sipas Zhupës, vendimi përfaqëson një formë të centralizimit abuziv të shërbimeve publike, që godet drejtpërdrejt qytetarët dhe punonjësit e administratës. Ajo thekson se ky akt shkel parimet e dekoncentrimit dhe decentralizimit, largon shërbimet nga qytetarët, kufizon aksesin në informacion dhe krijon kushte për rritje të korrupsionit dhe vonesa të qëllimshme në trajtimin e dosjeve.
Deputetja denoncon gjithashtu pasojat sociale të këtij vendimi, duke theksuar se punonjësit e Kadastrës detyrohen praktikisht të heqin dorë nga vendet e punës, pasi është e pamundur që të udhëtojnë çdo ditë nga Vlora në Tiranë dhe anasjelltas.
Zhupa kujton se ligji nr. 90/2012 parashikon qartë që shërbimet publike duhet të jenë pranë qytetarëve dhe jo të mbyllen me vendime të njëanshme ngaë Tirana. Sipas saj, ky veprim përbën një precedent të rrezikshëm dhe një goditje të rëndë për qytetarët e Vlorës.
Në përfundim, ajo kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit dhe mbajtjen e përgjegjësisë ligjore dhe administrative nga autorët që e kanë firmosur, duke theksuar se shërbimet publike nuk janë pronë private, por detyrim kushtetues ndaj qytetarëve.
