Brukseli “shuplakë” bajlozëve të politikës, ambasadori i BE kërkon që të respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe mos…

Data

Brukseli i ka dhënë dje një “shuplakë” kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës, me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato që thekson rëndësinë e respektimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe ruajtjes së reformës në drejtësi. Kërkesat për respektimin e këtyre principeve vijnë në një kohë kur protestat e dhunshme të PD-së bien ndesh me parimet themelore të demokracisë dhe në një moment kur po tentohet ta kapet sistemi gjyqësor. Të dy liderët, si Rama, ashtu edhe Berisha, kanë sulmuar vazhdimisht SPAK-un dhe reformën në drejtësi, duke e vënë në dyshim besueshmërinë e institucioneve. Ndërkohë, është e qartë se përmes Komisionit të Posaçëm Anti-Korrupsion “Xhafaj” ka një synim për të sabotuar këtë reformë.

Këto veprime krijojnë një atmosferë të pasigurisë dhe dobësisë për sistemin gjyqësor, që është thelbësor për stabilitetin e vendit. Reforma në drejtësi është një nga kërkesat kyçe për integrimin në BE, dhe çdo përpjekje për ta minuar atë do të ketë pasoja serioze për të ardhmen e Shqipërisë. Ndërkohë, protestat e dhunshme nuk i sjellin asnjë dobi demokracisë, por përkundrazi, minojnë besimin e qytetarëve në institucione. Kështu që Brukseli, me qëndrimet e tij, tregon se është i gatshëm të ndihmojë, por edhe të monitorojë me kujdes zhvillimet në Shqipëri. Është koha që të gjithë aktorët politikë të kuptojnë se përparimi drejt integrimit evropian është i lidhur ngushtë me respektimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit. Pra kjo është një mundësi për të rikthyer besimin e qytetarëve në proceset demokratike dhe për të siguruar një të ardhme më të ndritur për vendin.

Komisioni “Xhafaj”

Konkretisht ambasadori i BE, Silvio Gonzato nga Elbasani ditën e djeshme ka reaguar lidhur me bojkotin që institucionet e drejtësisë i kanë bërë komisionit “Xhafaj”. Gonzato bëri apel që pavarësia e institucioneve të drejtësisë të respektohet ndërsa shtoi se BE do të vazhdojë të asistojë komisionin “Xhafaj” për të bërë të mundur konsolidimin e Reformës në Drejtësi. “Në fakt unë nuk mendoj që është ashtu. Mendoj që ata kanë patur një mendim tjetër dhe ndoshta është interpretuar ndryshe nga media mendimi që ata kanë dhënë. E kam fjalën për Këshillin e Lartë Gjyqësorin, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, SPAK un dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Duhet të respektohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë, që do të thotë do të duhet edhe kontributi i tyre, por mbi të gjitha do të duhet të konsolidohet reforma e drejtësisë e vitit 2016. Kjo na ka bërë ne që të ofrojmë ekspertizën tonë, në mënyrë që të përshpejtohen të gjitha përpjekjet që kanë të bëjnë me parandalimin e korrupsionit, me mirëqeverisjen , por dhe me konsolidimin e reformës në drejtësi”, deklaroi ai.

Protesta e PD dhe kaosi në Kuvend

Ndërkohë një koment ambasadori i BE, Silvio Gonzato e pati edhe për protestën e opozitës në 7 tetor, e cila degjeneroi në dhunë dhe flakë. “E kam dhënë një koment të shkurtër një ditë më pas në parlament. Më lejoni të them se ne jemi në procesin e hapjes të grup kapitullit të parë për negociatat për integrimin në BE, që ndoshta është edhe grup kapitulli më i rëndësishëm dhe për këtë arsye është grup kapitulli i parë që hapet , por edhe i fundit që mbyllet. Që do të thotë se është shumë e rëndësishme në këtë kontekst që Kuvendi i Shqipërisë të funksionojë ashtu siç duhet. Një kuvend si mazhoranca dhe opozita luajnë rolin e tyre përkatës”, u shpreh ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related