Analistja Brisida Shehaj ka komentuar mbrojtjen që kryeministri Edi Rama i bëri ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë jo vetëm për drejtësinë, por edhe për strukturat e Partisë Socialiste.
Sipas Shehajt, deklaratat e Ramës në mbledhjen e grupit parlamentar tregojnë se Balluku konsiderohet një figurë e paprekshme brenda qeverisë dhe mazhorancës.
“Rama nuk dha mesazh vetëm për prokurorët e SPAK-ut, por edhe brenda Rilindjes, që Bela është e paprekshme”, u shpreh ajo gjatë analizës së saj.
Shehaj theksoi se qëndrimi i kryeministrit ndaj Ballukut është ndryshe nga mënyra si ai ka reaguar në raste të tjera kur zyrtarë të lartë të qeverisë janë përballur me hetime nga drejtësia.
Ajo përmendi rastet e ish-ministrave Ilir Beqaj dhe Arben Ahmetaj, si edhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, për të cilët, sipas saj, Rama është distancuar shpejt nga funksionet politike përpara se të ndërhynte drejtësia.
Në të kundërt, në rastin e Ballukut, kryeministri jo vetëm që nuk u distancua, por në fjalimin e tij i atribuoi asaj një sërë projektesh dhe arritjesh në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës.
Sipas Shehajt, ky qëndrim i Ramës përcjell dy mesazhe: një për sistemin e drejtësisë, duke treguar mbështetje të plotë për Ballukun, dhe një tjetër për hierarkinë brenda Partisë Socialiste, ku sipas saj Balluku konsiderohet një figurë shumë e fuqishme në strukturën e pushtetit.
Debati për këtë çështje vjen në një moment kur SPAK po heton disa procedura dhe çështje që lidhen me sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, ndërsa tensionet politike rreth këtyre hetimeve kanë qenë të forta në javët e fundit.
