Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku po shqyrtohej projektligji “Për importin, eksportin dhe tranzitin e armëve të zjarrit, komponentëve kryesorë të tyre dhe municioneve”, janë shënuar debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka ngritur akuza të rënda ndaj qeverisë, duke deklaruar se pronat e ushtrisë shqiptare po i kalohen biznesmenit izraelit Ron Yeffet, i cili sipas tij është nën hetim nga NATO. Blushi kërkoi sqarime publike lidhur me marrëveshjet e lidhura me kompaninë Elbit Systems, duke theksuar se kjo kompani është pezulluar dhe hetuar nga NATO.
Sipas Blushit, denoncime serioze janë bërë më herët edhe nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ka deklaruar se prona të Forcave të Armatosura po kalojnë në favor të bizneseve private, pa transparencë dhe në kundërshtim me interesin publik.
“Pronat e ushtrisë nuk janë pronë personale e askujt. Ato janë pasuri publike dhe çdo marrëveshje që cenon sigurinë kombëtare duhet të jetë transparente dhe të shoqërohet me llogaridhënie,” u shpreh Blushi, duke pyetur drejtpërdrejt nëse qeveria ka falur prona ushtarake Ron Yeffet-it dhe sa pasuri janë transferuar deri më tani.
Deputeti ngriti gjithashtu shqetësime për gjendjen e Forcave të Armatosura gjatë përmbytjeve të fundit, duke deklaruar se ushtarakët janë dërguar në terren pa mjetet e nevojshme dhe në kushte të papërshtatshme, çka sipas tij tregon neglizhencë të rëndë institucionale.
Blushi kërkoi gjithashtu sqarime se kur qeveria do të përmbushë detyrimet për financimin e ushtrisë sipas standardeve të NATO-s, duke theksuar se situata aktuale përbën rrezik për sigurinë kombëtare.
“Nëse korrupsioni prek ushtrinë dhe pronat e saj, atëherë nuk kemi më thjesht një problem politik, por një kërcënim serioz për sigurinë e vendit,” përfundoi Blushi.
