Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpalosi planet e tij për një rezervë kombëtare të kriptomonedhave. Por blerja e bitcoin në nivelet më të larta të të gjitha kohërave mund të jetë një veprim i kushtueshëm.
Bitcoin shpesh konsiderohet si një alternativë ndaj dollarit amerikan, monedhës rezervë botërore, pasi vetëm një numër i kufizuar monedhash do të prodhohen ndonjëherë. Përkrahësit argumentojnë se furnizimi fiks i bitcoin-it e bën atë një rezervë vlerash të mbrojtura nga inflacioni jashtë sistemit financiar global. Bitcoin shpesh krahasohet me arin për një arsye të ngjashme. Ndërsa bankat qendrore në mbarë botën mbajnë rezerva të mëdha të dollarit dhe arit, deri më tani, vetëm një vend – El Salvador – ka krijuar një rezervë strategjike të kriptomonedhave, megjithëse disa qeveri i mbajnë ato, kryesisht të kapura nga aktivitetet kriminale ose për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.
Javën e kaluar (6.03.2025) Presidenti i SHBA Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të krijuar një rezervë strategjike të bitcoin, pasi kishte thënë më parë se dëshiron që Shtetet e Bashkuara të jenë lider në paratë dixhitale. Mbrojtësit e kriptos i janë përgjigjur në mënyrë euforike planeve, ndërsa skeptikët argumentojnë se do t’i ekspozojnë taksapaguesit amerikanë ndaj paqëndrueshmërisë së madhe të çmimeve të monedhave dixhitale. Ndërsa Trump mirëpriti në Shtëpinë e Bardhë drejtuesit kryesorë të kriptove, DW eksploroi për të kuptuar atë që presidenti ka në mendje.
