BIRN: Rama paralajmëron ndryshime të tjera ligjore që prekin sistemin e drejtësisë

Data

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do të çojë përpara nisma të reja ligjore që prekin sistemin e drejtësisë, përfshirë ndryshime në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale.

Sipas tij, një nga ndryshimet kryesore do të jetë bllokimi i masës së pezullimit nga detyra për anëtarët e kabinetit qeveritar. Kjo nismë vjen pas vendimit për pezullimin nga detyra të ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila po hetohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

“Ai është një ndryshim i domosdoshëm që do bëhet, siç e kemi thënë dhe është në proces dhe do votohet, nuk diskutohet fare,” deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se nuk duhet të ndodhë më që një prokuror dhe një gjykatës të mund të pezullojnë funksionet e institucioneve të rëndësishme të qeverisë.

“Nuk ka shans që të ndodhë më në Shqipëri që të çohet një prokuror me një gjykatës që të pezullojnë funksionet vitale të qeverisë apo të institucioneve të tjera të cilat nuk mund ta delegojnë dot,” u shpreh ai.

Rama shtoi se këto nuk do të jenë ndërhyrjet e vetme dhe se do të ketë ndryshime të tjera ligjore në kuadër të Kodit të ri Penal dhe përmirësimeve në Kodin e Procedurës Penale.

Megjithatë, këto nisma kanë shkaktuar shqetësim në radhët e institucioneve të drejtësisë dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka cilësuar përpjekjet për kufizimin e mjeteve procedurale dhe pavarësisë së saj si një “rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës”.

Nga ana tjetër, Rama reagoi me ton kritik ndaj këtyre shqetësimeve, duke theksuar se Parlamenti është i pavarur në vendimmarrje.

“…Nuk është puna e SPAK-ut që t’i thotë Parlamentit të Shqipërisë çfarë duhet të bëjë Parlamenti. SPAK të shohë punën e vet, ne të shohim punën tonë,” tha ai.

Drafti për Kodin e ri Penal, i prezantuar disa muaj më parë nga Ministria e Drejtësisë, është kritikuar nga aktorë të sistemit të drejtësisë dhe shoqëria civile, të cilët kanë ngritur shqetësime për paqartësi ligjore dhe për mundësinë e zbutjes së dënimeve për korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related