Një vrasje mafioze pranë aeroportit kryesor të Shqipërisë, e ndodhur muajin e kaluar, ka rritur shqetësimet ndërkombëtare se vendi po rrëshqet gjithnjë e më thellë nën ndikimin e krimit të organizuar. Sipas opozitës shqiptare, Shqipëria ndodhet pranë shndërrimit në narko-shtetin e parë të Europës.
Më 11 nëntor, Gilmando Dani, i lidhur me rrjetin kriminal Shullazi, u vra me armë zjarri në mes të ditës, teksa po kthehej nga Spanja. Pamjet filmike tregojnë atentatorë që dalin nga një automjet i parkuar, hapin zjarr ndaj makinës së viktimës dhe largohen qetësisht nga vendngjarja.
Sipas kritikëve, skena të tilla dhune po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Rrjeti Shullazi dyshohet se është i përfshirë në trafikun e drogës, ndërsa ekspertë ndërkombëtarë paralajmërojnë se Shqipëria është kthyer në një pikë kyçe ballkanike për kartelet e drogës nga Amerika Latine dhe në një qendër të rëndësishme të tregut europian të kanabisit.
Ish-kryeministri Sali Berisha, në një intervistë për Washington Times, deklaron se degët shqiptare të karteleve të Amerikës së Jugut janë sot transportuesit kryesorë të drogës drejt Europës. Sipas tij, ato kontrollojnë çmimet e drogës në tregun europian dhe po forcojnë ndikimin edhe në tregun amerikan.
Berisha dhe Partia Demokratike kanë kërkuar që Shtetet e Bashkuara të shpallin kartelet shqiptare të drogës si organizata narco-terroriste. Ai akuzon administratën amerikane se ka mbyllur sytë ndaj trafikut të drogës gjatë qeverisjes së Edi Ramës, i cili ndodhet në pushtet që prej vitit 2013.
Në kontrast me vlerësimet zyrtare ndërkombëtare për qeverinë shqiptare, organizata ndërkombëtare të qendrës së djathtë kanë miratuar rezoluta që akuzojnë mazhorancën për infiltrim kriminal në kontratat publike, sektorin e ndërtimit dhe turizëm.
Artikulli ndalet edhe te zgjerimi i lidhjeve të rrjeteve kriminale shqiptare me organizata mafioze në Itali dhe grupe kriminale në Amerikën Latine, lidhje që sipas analizës kanë sjellë një valë të re dhune në Europë.
Një shembull i përmendur është një ngjarje tronditëse në Bruksel, ku trupi i një personi të dyshuar si trafikant droge mbeti për orë të tëra në një zonë publike, një metodë frikësimi tipike për kartelet latino-amerikane.
Në fokus vihet edhe bumi i ndërtimit në Tiranë. Sipas të dhënave europiane, ndërtimi përbënte përqindjen më të lartë të prodhimit ekonomik në Europë gjatë vitit 2024. Media dhe vëzhgues ndërkombëtarë dyshojnë se një pjesë e projekteve të mëdha financohen nga pastrimi i parave të drogës.
Ndërkohë, rreth një e treta e popullsisë jeton në varfëri, mbi një milion shqiptarë kanë emigruar që nga vitet ’90 dhe rrjete kriminale dyshohet se shfrytëzojnë sisteme informale financiare për transferimin e shumave të mëdha të parave.
Megjithëse qeveria ka ndërmarrë aksione kundër drogës, përfshirë operacione të bujshme policore, kritikët theksojnë se aktiviteti kriminal jo vetëm ka mbijetuar, por është përshtatur dhe forcuar. Legalizimi i kanabisit mjekësor, sipas analizës, ka krijuar terren për një valë të re aktiviteti të paligjshëm.
Opozita akuzon qeverinë se ka politizuar drejtësinë dhe e përdor atë kundër kundërshtarëve politikë, duke ngritur shqetësime serioze për shtetin e së drejtës dhe sigurinë kombëtare.
Sipas ish-zyrtarëve të sigurisë, përfshirja e zyrtarëve të një vendi anëtar të NATO-s në krim të organizuar përbën rrezik të drejtpërdrejtë strategjik, duke e kthyer vendin në një hallkë të dobët dhe të shfrytëzueshme për destabilizim nga aktorë të jashtëm.
