Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur për protestën e paralajmëruar më 10 shkurt, duke theksuar se opozita do të veprojë në disa drejtime paralelisht: riorganizim të strukturave, anëtarësime të reja dhe aksion në rrugë.
Berisha u shpreh se protesta nuk është një veprim i izoluar, por pjesë e një procesi më të gjerë politik, ku synohet përfshirja e qytetarëve idealistë dhe e të rinjve. Ai theksoi se Partia Demokratike do të punojë intensivisht me seksionet në terren, ndërsa paralelisht do të përgatisë protestën për ta kthyer atë në një moment presioni maksimal politik.
Sipas tij, qeveria aktuale është pengesa kryesore për mirëqenien e shqiptarëve dhe protesta e 10 shkurtit do të jetë momenti për t’i dhënë “leksionin e merituar” kryeministrit Edi Rama.
Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje masive nga qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, duke theksuar se opozita është në “kilometrin e fundit” të aksionit të saj dhe se asgjë, sipas tij, nuk do ta ndalë marshimin kundër regjimit aktual.
