Berisha pazar të fundit për shkatërrimin e SPAK dhe Reformës në Drejtësi, “non-grata” thirrje Ramës për të ngritur…

Data

Kreu i Partisë Demokrtike, Sali Berisha duket se po lëviz të gjithë gurët për të bashkëpunuar me kryeministrin Edi Rama, me qëllimin final shkatërrimin e Reformës në Drejtësi dhe Prokurorisë Speciale (SPAK). Kështu një zhvillim i papritur që ka tërhequr vëmendjen e gjerë është provokuar dje nga Sali Berisha i shpallur “non-grata” nga Londra dhe Uashingtoni, i cili ka shpallur një vendim të rëndësishëm që mund të ndikojë thellësisht në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Kryetari i PD, Sali Berisha, ka dalë mesditën e djeshme në një dalje të jashtëzakonshme për mediet, të improvizuar nga shtëpia e tij, ku gjendet në arrest prej 9 muajve. Pavarësisht se në pamje të parë u duk sikur po denonconte ish-ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, Sali Berisha, dha një lajm të fortë që vërteton se pakti i tij me Edi Ramën, nuk mbyllet me bashkimin e votave në Parlament për Amnistinë Penale, e cila goditi SPAK dhe Ligjin Zgjedhorë i cili mbylli listat e deputetëve dhe i blindon fitoren PS në zgjedhjet e vitit 2025, por vazhdon me hapin final të projektit të dyshes për të goditur Reformën në Drejtësi dhe veçanërisht SPAK dhe Gjykatën e Posaçme. Bëhet fjalë për komisionin parlamentarë, “Xhafaj”, i ngritur në Parlament nga Edi Rama, i cili ka synim ndryshimin e Reformës Zgjedhore të vitit 2016 e mbështetur dhe financuar nga SHBA dhe BE. Ndryshimi i saj, i cili piketon pikërisht armikun e përbashkët të Rama&Berisha, SPAK&GJKKO, kërkon bashkimin e votave në Parlament dhe provat u bënë për Amnistinë Penale dhe dështimin e Reformës Zgjedhore.

Pasi opozita Berisha në disa mbledhjet e komisionit me kryetar Fatmir Xhafajn bëri sikur refuzoi që të marrë pjesë në fund të sesionit të kaluar parlamentar, Sali Berisha në daljen e djeshme, dha “lajmin e madh”, se Komisioni parlamentar për Drejtësinë është e vetmja rrugë për të ndalur kriminelët e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme. Sipas tij, “Komisioni i të vërtetës, mbetet rruga e vetme për të hetuar magjistratët që fshehin dosjet për zyrtarët e lartë shtetëror”. Pra njoftimi i Berishës për t’u bashkuar me Ramën në këtë iniciativë shënon një kthesë të rëndësishme në politikën shqiptare dhe ka ngritur shqetësime për mundësinë e një ndërhyrjeje që mund të dëmtojë integritetin e Reformës në Drejtësi. Thënë troç kjo lëvizje vjen në një periudhë të ngarkuar dhe të tensionuar për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Reagon Berisha

Ndërkohë kujtojmë se dje ish-kryeministri Sali Berisha, në një deklaratë të fortë dhe të drejtpërdrejtë, ka shpallur krijimin e një Komisioni të së Vërtetës si një hap të domosdoshëm për të zbardhur dhe ndarë krimin e organizuar nga institucione shtetërore në Shqipëri. Berisha ka argumentuar se ky komision është rruga e vetme për të bërë një “radiografi” të sistemit, duke i dhënë fund fshehjes së krimeve nga deputetët, ministrat dhe kryeministrat. Në fjalën e tij, Berisha ka theksuar se ky komision do të luajë një rol kritik në ndarjen e Shqipërisë nga “bota e krimit shtetëror-qeveritar” dhe do të sigurojë që krimet e rëndësishme të mos mbeten të paqarta për qytetarët shqiptarë. Krijimi i komisionit të së vërtetës është paraqitur si pjesë integrale e programit të Partisë Demokratike dhe një mjet për të forcuar transparencën dhe drejtësinë në vend. Por kjo nismë e Berishës ka nxitur debate të forta dhe ka sjellë në pah shqetësime të mëdha mbi ndikimin e mundshëm të këtij komisioni në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. “Të dashur qytetarë dhe qytetare! Këto janë disa të dhëna paraprake, të cilat i ekspozova, jo për të shuar kuriozitetin, dhe as për t’i përdorur për qëllime politike, por thjesht për t’ju informuar se si ky shtet është i kapur këmbë e kokë nga krimi dhe peng i tij. Krijimi i komisionit të së vërtetës është rruga e vetme për të bërë radiografi, në mënyrë që Dumanër, Gjoka, gjykatës, prokurorë kriminelë të mos mund t’i fshehin qytetarëve shqiptarë krime të shëmtuara të deputetëve të tyre, ministrave të tyre, kryeministrit të tyre. Vetëm krijimi i një komisioni të së vërtetës që do të jetë pjesë integrale e programit të PD do mund të ndajë në mënyrë përfundimtare Shqipërinë nga bota e krimit shtetëror-qeveritar të sotëm. Faleminderit”, deklaroi Berisha, njoftoi dje zyra e shtypit dhe komunikimit e Partisë Demokratike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related