Një investim i madh i reklamuar si strategjik prej 2 miliardë eurosh, ai i Marinës në Durrës, në zonën ku sot ndodhet Porti i Durrësit, nuk po rezulton aspak strategjik.
Ndonëse ky është një investim që ka përfituar, përjashtime nga taksat, madje dhe atë të infrastrukturës, si dhe ka marrë një sipërfaqe të madhe prone falas për zhvillim, investitori, në vitin e parë të aktivitetit, vetëm sa ka mbledhur para nga shitja e apartamenteve në “ajër”.
“Durrës Marina sha”, kompania që po menaxhon projektin strategjik të Marinës së jahteve në Durrës, ka arkëtuar nga klientët rreth 22 milionë euro në vitin 2023, ndonëse ndërtimi i apartamenteve në pjesën më të madhe nuk kishte filluar.
E dhëna bëhet e ditur në bilancin e vitit 2023 të kompanisë, ku zëri “Detyrime nga kontratat me klientë” është 2.2 miliardë lekë, ose rreth 22 milionë euro. Ky zë, sipas bilancit, përfshin: “detyrimet nga kontratat me klientët janë detyrime për të transferuar njësitë ndërtimore tek klientët për të cilat Shoqëria ka marrë një parapagim”.
Megjithatë, kompania ka deklaruar të ardhura zero, sepse “Shoqëria do të bëjë njohjen e të ardhurave nga shitja e pronave në momentin kur transferohet kontrolli i aktivit klientit”. Humbjet ishin 517 milionë lekë.
