Kreu i PD-së, Sali Berisha ka dalë në një deklaratë për mediat ditën e sotme, ku ka falernderuar demokratët që protestuan ditën e djeshme në Tiranë, duke bllokuar për rreth 3 orë 5 rrugë kryesore të kryeqytetit. Gjithashtu, lideri demokrat ka përshëndetur edhe 7 protestuesit e arrestuar duke i konsideruar guximtarë.
Edhe pse ishte vetëm bllokim rrugësh me orar të përcaktuar, Berisha vazhdon ende ta konsiderojë si “mosbindje civile”, ku sipas tij, tubimi i djeshëm ka tmerruar gjer në palcë Edi Ramën.
Sipas Berishës, kjo ishte dhe arsyeja e dhunës së ushtruar ndaj protestuesve dhe deputetëve, duke e bërë Agron Gjekmarkajn për spital, si dhe sipas tij, përdori mashtrues ordinerë, halucinante që shohin gra imagjinare shtatzëna që lindin në autobusë.
Lideri demokrat shtoi më tej se protesta e djeshme nuk ka tmerruar vetëm Qeverinër, por sipas tij, edhe opozitarët e opozitës, siç i konsideroi ai.
Berisha u shpreh i sigurt se PD në këtë përpjekje, më 11 maj do të firmosë së bashku me partitë opozitare, rotacionin e pushtetit dhe fitoren e opozitës.
