Seanca plenare e kësaj të enjteje është shoqëruar me tone të ashpra, ku kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën për mbrojtje të korrupsionit dhe për shmangie nga përballja me drejtësinë.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha deklaroi se rendi i ditës duhet të kufizohet vetëm te shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Sipas tij, çdo diskutim tjetër është i pavlefshëm pa u trajtuar kjo çështje.
Ai përdori një gjuhë të fortë ndaj shumicës parlamentare, duke i akuzuar deputetët e mazhorancës se po mbrojnë interesat e tyre personale dhe po shmangin përgjegjësinë ligjore.
“Rendi i ditës sot është vetëm një: dorëzoni mandatin e Ballukut”, u shpreh Berisha, duke paralajmëruar se protesta e paralajmëruar për 20 shkurt do të jetë përgjigjja e qytetarëve ndaj situatës politike.
Seanca u zhvillua në një klimë tensioni, ndërsa debati për çështjen e imunitetit vijon të dominojë axhendën politike.
