Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka falënderuar protestuesit që morën pjesë në tubimin e opozitës më 8 maj në Tiranë, duke e cilësuar protestën si një “kryengritje paqësore” për mbrojtjen e dinjitetit dhe të ardhmes së shqiptarëve.
Gjatë bashkëbisedimit të së shtunës me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se protesta kishte jehonë ndërkombëtare dhe se pjesëmarrësit treguan guxim e sakrificë përballë asaj që ai e cilësoi si “regjim”.
“Së pari, dëshiroj të përulem me nderimin më të madh para atyre dhjetëra mijëra që u bashkuan dje në rrugët dhe sheshet e Tiranës në një kryengritje madhështore për të mbrojtur nderin, dinjitetin e çdo shqiptari”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se opozita do ta vijojë betejën politike deri në “largimin përfundimtar të kësaj të keqeje”, ndërsa akuzoi qeverinë për korrupsion dhe për pengimin e protestës paqësore.
Berisha sulmoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke i akuzuar për plaçkitje të qytetarëve dhe për drejtimin e një “narkoshteti”.
Në deklaratën e tij, kreu demokrat theksoi se protesta e opozitës ishte një mesazh shprese për shqiptarët dhe një sinjal për partnerët ndërkombëtarë se opozita do të vazhdojë përballjen politike me qeverinë.
