Edhe pse vendi ndodhet në një atmosferë tensioni dhe përplasjeje politike, ish-kryeministri Sali Berisha vazhdon të refuzojë çdo lloj pendese për masakrën e “21 Janarit”, ku katër qytetarë të pafajshëm (protestues) humbën jetën gjatë protestës së thirrur nga opozita e kohës (Partia Socialiste) në vitin 2011 kundër korrupsionit qeveritar, veçanërisht ndaj ish-zv/kryeministrit Ilir Meta, i cili u kap me bllok në dorë duke bërë pazare për 700 mijë euro. Ish-kryeministri Berisha në një veprim të paprecedent, e mbrojti dje publikisht Ilir Metën, duke justifikuar veprimet e qeverisë dhe Gardës që shtiu me armë në atë ngjarje tragjike dhe që sebepi i protestës ishte pikërisht ish-numri dy i qeverisë, sot president i Partisë së Lirisë. Këto qëndrime vijnë në një kohë kur Berisha, i shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, duket se po e sfidon sistemin e drejtësisë duke kërcënuar në mënyrë sistematike kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, si dhe prokurorët dhe gjyqtarët specialë, të cilët e kanë marrë nën hetim sa i takon aferës “Partizani”.
Paralajmërimet e tij për tym e flakë më 7 tetor, ditë kur Partia Demorkatike e drejtuar prej tij ka thirrur një protestë kundër qeverisë “Rama”, rrisin akoma më shumë tensionin dhe frikën për një përshkallëzim të mundshëm të protestave. Po ashtu, Berisha kërcënoi edhe kryeministrin Edi Rama. Kjo situatë reflekton një krizë të thellë politike dhe morale në vend, ku figura të njohura politike përpiqen të ruajnë pushtetin duke përfituar nga traumat e kaluar. Në këtë kontekst, pyetja e madhe mbetet: deri ku mund të shkojë një lider si Sali Berisha në mbrojtje të interesave të tij personale, familjar dhe ato të aleatëve të tij? Megjithatë përgjigjen për këtë pyetje do ta marrin në ditët në vijim dhe është pikërisht koha, ajo që do t’i tregojë e zbulojë të gjitha.
“21 janari” dhe 7 tetori
Konkretisht kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha e quajti masakrën e “21 janarit” një çështje e ndërtuar me mashtrime dhe falsifikime nga kryeministri Edi Rama, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet. Në videokonferencën e djeshme, ish-kryeministri Berisha u pyet nga gazetarët nëse 7 tetori ka ngjashmëri edhe me “21 Janarin”, por ai e hodhi poshtë menjëherë këtë krahasim, duke dhënë edhe arsyet. Berisha theksoi se “21 janari” është një mashtrim, por 7 tetori është dita për të fituar lirinë. Ai iu bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen në protestë së thirrur prej tij këtë të hënë që vjen. Sipas tij, “21 janari” shkon në të kaluarën dhe 7 tetori në të ardhmen. “21 janari u ndërtua mbi një mashtrim, 7 tetori është dita për të hapur dyert e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme Ardit, 21 janari u ndërtua mbi një mashtrim, falsifikim dhe etje gjakësore për pushtet të Edi Ramës dhe bandës së tij. 7 tetori është dita për të hapur dyert për shqiptarët për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Pra, siç e sheh, 7 tetori është thirrur pasi është bërë e qartë për çdo shqiptar se Edi Rama grabit mandatet dhe nuk respekton vullnetin e qytetarëve por e kontrollon atë. Pasi është bërë e qartë për çdo qytetar se ky armik i votës së lirë ka vendosur në arrest dhe ndjekje penale tre drejtuesit e partive kryesore opozitare, i bindur se nuk fiton zgjedhjet. Pasi është bërë e qartë se ai ka rikthyer, si bastard i xhelatit Kristaq Rama, burgosjet politike në Shqipëri. Pra, paralelizma, e para shkon drejt të shkuarës, kjo e dyta shkon drejt të ardhmes së Shqipërisë”, deklaroi Berisha. Ndërkohë kujtojmë se hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Alfred Shehu është prokurori i SPAK, i cili do të hetojë çështjen e “21 janarit”. Në mesin e personave që akuzohen nga familja si përgjegjës për vrasjen e Aleks Nikës, janë edhe drejtuesit më të lartë të shtetit, ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Ky i fundit në një reagim pas regjistrimit të çështjes në Prokurorinë e Posaçme dha një koment për mediat, duke thënë se nuk ka urdhëruar pushkatimin e asnjë protestuesi.
