Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar për 35-vjetorin e themelimit të PD-së në Lezhë, ku pranoi se partia ka bërë gabime dhe se kalimi në opozitë ishte i merituar.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se gabimet e PD-së nuk kanë qenë të qëllimshme, por të diktuara nga mosdija. Ai u shpreh se dorëzimi i pushtetit u interpretua nga kundërshtarët si shenjë dobësie, duke menduar se Partia Demokratike do të zhdukej nga skena politike.
Sipas tij, pavarësisht humbjes së pushtetit dhe vështirësive, PD ka vijuar të mbrojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar, duke mos pranuar kompromise morale.
“Ne bëmë gabimet tona dhe dolëm në opozitë në mënyrë të merituar. Gabimet nuk ishin të qëllimshme, por vinin nga mosdija. Dorëzuam pushtetin dhe menduan se u shkatërruam, se do na zhduknin nga harta. Por ne vazhduam të mbrojmë vlerat dhe parimet tona. Pasi i njohëm gabimet, zgjodhëm rrugën më të drejtë ligjore dhe nuk pranuam të kryejmë veprime imorale me ndërgjegje”, u shpreh Berisha.
