Belinda Balluku sfidon Prokurorinë, urdhëron Portin e Durrësit të mos lejojë ankorimin e anijes me mbetjet toksike…

Data

Anija turke “Moliva”, e cila mbërriti mëngjesin e së hënës me 102 kontejnerët që dyshohet se përmbajnë mbetje toksike vazhdon të qëndrojë në radën e jashtme të portit detar të Durrësit në pritje të një vendimi për ankorimin e saj në kalatë dhe shkarkimin e kontejnerëve. Edhe pse ka një vendim të qartë nga Prokuroria, autoritetet nuk kanë marrë ende një vendim lidhur me atë që do të bëhet me konteinerët. Përveç 102 kontejnerëve me mbetje, në bordin e anijes turke, ndodhen edhe 97 kontejnerë të tjerë të kompanive private, që janë në pritje për t’u shkarkuar.

Autoritetet portuale atje (porti MBM) me urdhër të ministres Belinda Balluku refuzuan kërkesën për ta pranuar ngarkesën e rrezikshme. Në këto rrethana të veshura me skandal, Autoriteti Portual i Durrësit i ka kërkuar Prokurorisë që të marrë ajo një vendim mbi vendin ku do të shkarkohen kontejnerët, për shkak të dyshimeve mbi përmbajtjen e tyre. Por kjo skemë që po ndiqet nga Autoriteti Portual i Durrësi, i cili është në varësi të Ballukut, sipas ish-komandantit të Forcave Detare, Artur Meçollari është e rrezikshme pasi mund të zhdukë provën kryesore. “ Prej 48 orësh nuk zbatohet vendimi i Prokurorisë.

Me vendimin e datës 27 tetor 2024 dy prokurorë që hetojnë mbetjet e rrezikshme të nisura nga Porti i Durrësit më 4 korrik kanë urdhëruar vënien nën sekuestro 102 kontenierët e ardhur me anijen “Moliva”. Urdhri i është dorëzuar disa institucioneve për zbatim në mëngjesin e datës 28 tetor 2024. Në shkresën e drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit thuhet “Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt, si për sa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit të janersve 24 orë””, tha ai.

Prova kryesore e hetimit në rrezik zhdukje

Sipas Meçollarit, anija mund të largohet, dhe për kapjen e saj nevojitet të realizohet një operacion special bordimi, ose të mbytet në radë. “Anija prej 48 orësh është në radë dhe sendet nuk janë depozituar ende në një vend të sigurt dhe të monitoruar nga kamerat 24 orë. Qëndrimi në radë përbën rrezik për zhdukjen e provës, pasi anija mund të largohet, dhe për kapjen e saj nevojitet të realizohet një operacion special bordimi, ose të mbytet në radë. Në Shqipëri ka patur disa raste të ngjashme në 30 vitet e fundit. Ruajtja në radë, jo vetëm që bie ndesh me urdhrin e Prokurorsë, por është e kushtueshme dhe jo e sigurt. “Institucionet që kanë detyrimin e zbatimit të urdhrit të vendosjes së sekuestros nga Prokuroria janë: -Autoriteti Portual, Durrës; – Kapiteneria e Portit, Durrës; -Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Migracionit Durrës; – Drejtoria e Goganave, Durrës, etj”, tha ai ndër të tjera.

Rastet e ngjashme

Meçollari merr edhe një shembull nga Shqipëria në vitin 2004, kur një anije çisterno e bllokuar në radën e Portit të Shëngjinit, ngriti spirancën dhe iku. “Në vitin 2004 një anije çisterno e bllokuar në radën e Portit të Shëngjinit, ngriti spirancën dhe iku. Dolën në det disa anije të Forcës Detare, por nuk e borduan dot. U përfshi në këtë ndjekje dhe një destrojer u huaj. Anija hyri në ujrat italiane dhe shpëtoi. Por, ka dhe raste, jo eksperiencë në Shqipëri, që kapiteni ka mbytur anijen e tij”, u shpreh Meçollari.

Si dolën mbetjet nga Shqipëria?

Mbetjet toksike të cilat kaluan nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, mbi të cilat po hetojnë autoritet shqiptare bashkë me OLAF, thuhet se u nisën nga impianti ‘Kurum’ pranë metalurgjikut në Elbasan. Mbetjet toksike më pas i ka shitur tek kompania ‘Sokolaj’. Më pas, ‘Sokolaj’ ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024. Udhëtimi i kontejnerëve të dyshuar ka vënë alarmin në shumë vende që kur u ngarkuan në portin shqiptar të Durrësit në korrik. Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën pasi u njoftua për përmbajtjen e saj të rrezikshme nga grupet mjedisore. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin. Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh. Ndërkohë çështja është në hetim nga Prokuroria e Durrësit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related