Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për mbrojtje politike të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe për shpallje të paprekshmërisë përballë drejtësisë.
Në një deklaratë publike, Këlliçi u shpreh se kreu i qeverisë “sillet sikur 12 marsi nuk ka ndodhur”, duke iu referuar debatit në Kuvend, ku sipas opozitës, Rama ka mbrojtur Ballukun përballë akuzave të ngritura.
Ai theksoi se deklaratat e Ramës për barazi para ligjit bien në kundërshtim me veprimet konkrete të shumicës parlamentare, duke shtuar se një muaj më parë, sipas tij, qeveria dhe mazhoranca “shpallën veten të paprekshëm” përmes votimeve në Kuvend.
Këlliçi akuzon gjithashtu qeverinë për mbrojtje të aferave korruptive dhe për ndikim negativ në procesin e integrimit europian të vendit. Ai kërkoi që kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij të përballen me drejtësinë për atë që i cilëson si “abuzime me miliarda euro”.
Në përfundim, deputeti i opozitës bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke paralajmëruar protestën e 17 prillit, të cilën e konsideron si një moment të rëndësishëm për kërkesën ndaj drejtësisë dhe barazisë para ligjit.
