BE dënon sulmet e Ilir Metës ndaj Altin Dumanit e SPAK-ut, i përgjigjet presidenti i PL dhe kërcënon me destabilitet

Data

Bashkimi Evropian ka dënuar ditën e djeshme sulmet publike të ish-presidentit Ilir Meta ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ishte ambasadori i BE Silvio Gonzato, i cili në çeljen e javës së Evropës 2024 në Shqipëri i bëri thirrje politikës të mos ndërhyjë por të lërë drejtësinë të bëjë punën e vet. Gonzato tha se BE nuk ka mbajtur asnjëherë një standard të dyfishtë. Kjo përgjigje ishte pasi u pyet se pse ndërkombëtarët nuk reagojnë kur SPAK-un e sulmon kryeministri Edi Rama. “Nuk ka standarde të dyfishta. Mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur, por mesazhi është i njëjtë dhe i përhershëm. Ne i japim përparësi të madhe reformës në drejtësi dhe duhet ta lëmë të bëjë punën e vet. Ne nuk komentojnë për hetime por ju e dini mbështetjen tonë për SPAK. Mbështes punën e këtij institucioni. Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, janë pjesë e kapitujve themelorë të BE që do të hapen të parët dhe do të mbyllen të fundit. Kam besim të plotë te SPAK, vijojmë punën me Bashkinë, për transportin e gjelbër, shkollat etj”, u shpreh ambasadori i BE Silvio Gonzato.

Përgjigjja e Ilir Metës

Ndërkohë presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu përgjigj mesazhit të ambasadorit, duke thënë se po mbajnë qëndrime të njëanshme. “Habitem që nuk kanë shqetësim këta kur Edi Rama shkel vendimet e gjykatës Kushtetuese që ka krijuar vetë, por ne jemi mësuar me deklarata të tilla dhe argëtohemi. Detyra jonë është ta luftojmë korrupsionin e Edi Ramës me të gjitha mënyrat e format demokratike e heroike” nënvizoi Meta. Presidenti i Partisë së Lirisë sulmoi sërish, Altin Dumani të cilin e akuzon se bashkëpunon me kryeministrin Edi Rama. “Nuk e di a ka ndonjë qëndrim të tyre lidhur me deklaratën skandaloze të kreut aktual të SPAK, i cili publikisht ka deklaruar para të gjithë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që i kanë sytë në ballë se në këtë vend afërmend gjykatat vendosin se çfarë kërkojmë ne, pra SPAK-u. Ky është një vend që nuk ka nevojë për gjykata, sepse do të duhet të certifikojnë vendimet e SPAK apo prokurorisë si institucion. Madje as personat që ndiqen nga drejtësia s’kanë nevojë për avokat, pse të shpenzojnë para. Me këtë deklaratë ka asgjësuar gjykatat, avokatët, ka treguar atë nivel që ka dhe që buron pikërisht se është atje jo për shkak të integritetit, por është aty për t’i shërbyer Ramaformës. S’ka deklaratë në botë dhe fuqi në botë që e shplan deklaratën skandaloze të Dumanit. As Mehmet Shehu s’do e bënte në kohën e Enver Hoxhës” tha Meta sot në konferencë për median nga selia e Partisë së Lirisë.

Kërcënimet e Metës për destabilitet

Meta shkoi deri aty sa nisi kërcënimet edhe për destabilitet nëse Dumani nuk i bindet urdhrave të tij. “Protestat nuk do të ndalen deri kur Erion Veliaj të ikë nga bashkia dhe të jetë në burg për të gjitha veprimet skandaloze që ka kryer. Nuk do të lejohet instalim i regjimit ton tomakutëve në Shqipëri. U bëj thirrje policëve të zbatojnë ligjin. I bëj thirrje drejtësisë të veprojë të parandalojmë ngjarje të tilla sepse populli i Tiranës është shumë i revoltuar dhe me shumë vështirësi po e përmbajmë”, tha Meta dje në konferencë tij. Po ashtu, Meta shkon më tej duke thënë se SPAK u detyrua pasi u gjend përballë protestave në Tiranë. “Drejtësia u detyrua të bëjë veprime fiktive vetëm pas protestave të zjarrta të qytetarëve të Tiranës, dhe dosjes së 5 D. Nuk është asgjë nga ajo e 15 drejtoreshave është tmerr tjetër. Të gjithë e kanë të qartë që kjo është drejtësi me regji nën kontrollin e plotë të Edi Ramës. Të gjithë e dinë se Ramaforma përdoret për të kërcënuar dhe shantazhuar gazetarët për të mos nxjerrë të vërtetat e krimet e Ramës e të qeverisë”, nënvizoi Meta.

Akuzat ndaj Ramës

Sakaq, Meta akuzon kreun e qeverisë e akuzon se e ka drejtësinë në kontroll të plotë ndërsa diplomatët se ‘kanë mbyllur sytë’ përpara kësaj. “Janë qytetarët shqiptarë që vlerësojnë sukseset e Ramaformës dhe i vuajnë ato, sepse të jesh ambasador në Shqipëri apo diplomat në këtë vend është gjë e bukur sepse është vend shumë i bukur, ushqimin e kemi të jashtëzakonshëm, klima, i respektojmë miqtë. E ngaqë i respektojmë shumë kujtojnë se s’kemi punë tjetër, e mendojnë se mund të bëjmë gallatë me popullin tonë, siç kemi parë në shumë raste. Por aq e lehtë sa është të jesh ambasador në Shqipëri aq tmerr është të jesh qytetar i këtij vendi. Të mos kesh lidhje me Rilindjen e të kërkosh drejtësi në këtë vend, pikërisht sa u bë 8 vite që kur u miratua reforma në Kuvend. Janë 115 mijë dosje që nuk janë prekur me dorë e dhjetëra mijëra qytetarë parashikohet të mos marrin drejtësi sa të jenë gjallë, por për fat të mirë ka një parti si PL që do i japë fund këtij regjimi dhe drejtësinë do ta kthejë në shinat e Kushtetutës, të 140 votave e jo 69 votave me tym e flakë siç u zgjodh prokurorja e Rilindjes dhe e partisë që e shndërroi sistemin e hetimit në një instrument për të garantuar pandëshkueshmërinë e Ramës. Këta po lënë pa gjykatë dhe Shkodrën”, tha Meta. Kujtojmë se zërat se është një hap larg burgut për shkak se dyshohet se është përfshirë në shumë afera korruptive dhe kriminale, duket se kanë xhindosur kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit prej disa ditësh ka nisur një fushatë sulme e akuzash ndaj Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe bashkëpunëtorëve të tij, madje ai nuk ka kursyer as bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, çka tregon se atij po “i dridhet toka nën këmbë”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related