Njësitë e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore po vuajnë nga paaftësia kronike për të realizuar programin e investimeve publike sipas planit.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se njësitë e pushtetit vendor dogjën vitin e kaluar më shumë se gjysmën e programit të investimeve publike.
Të dhënat finale mbi buxhetin 2024 tregojnë se pushteti vendor realizoi vetëm 43 për qind të programit të investimeve. Nga 46,3 miliardë lekë të planifikuara u investuan vetëm 19,9 miliardë lekë ose më pak se gjysma e programit.
Paaftësia e bashkive për të alokuar investimet vjen në një kohë kur ata janë para nevojave të mëdha për të investuar sidomos në infrastrukturën e rrugëve lokale vendore.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se fondin më të madh të investimeve e kishte Bashkia e Tiranës me rreth 18 miliardë lekë më 2024, por ka arritur të investojnë vetëm 6,1 miliardë lekë ose 34 për qind të programit.
