Kolltuku i ri i zyrës së Anuela Ristanit merr një rrotullim pas në Komisionin e Prokurimit Publik. Pas ankesës së një biznesi pjesëmarrës në tenderin e mobilimit të zyrës së kryetares së Bashkisë Tiranë, më 16 qershor 2025 ka ardhur vendimi i KPP. Sipas këtij dokumenti janë rrëzuar të gjitha kriteret diskriminuese që kishte vënë Anuela me qëllim që t’i japë lekët një kompanie të paracaktuar

Operatori ekonomik “Klame” SHPK në denoncimin e bërë më 2 qershor 2025 kërkonte modifikimin e dokumenteve të procedurës së prokurimit me objekt “Blerje pajisje dhe orendi për nevoja të institucioneve të Bashkisë Tiranë”, parashikuar për t’u zhvilluar më datë 23 qershor 2025, nga Bashkia Tiranë.
Super tenderi i mobilimit të zyrës së kryetares
Ky është një super tender ku janë në lojë 465 milionë lekë pa llogaritur TVSH. Përse bëhet ky shpenzim? Anuela Ristani po heq mobiljet e Erion Veliajt nga zyrat dhe bën tender për mobilimin e selisë së bashkisë Tiranë. Poltron rrotullues, raft librash, tavolinë ovale si e Shtëpisë së Bardhë, kasafortë sekrete, komplete kolltuqesh, kredencë, garderobë, pasqyra për tualet dhe një listë e gjatë mobiliesh do t’ia ndryshojnë pamjen nga brenda zyrave.
