Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Violand Braçellarin, i dyshuar për vrasjen e efektivit të policisë Enea Mekolli dhe plagosjen e efektivit tjetër, Edison Adri.
Vendimi u komunikua nga gjyqtari Gentian Sallahu dhe prokurorja e çështjes në ambientet e Spitalit të Traumës, ku Braçellari vijon të marrë trajtim mjekësor pas ngjarjes.
Sipas organit të akuzës, Braçellari dyshohet se më 4 qershor ka qëlluar me armë automatike ndaj forcave të policisë gjatë një operacioni për kapjen e tij. Hetimet paraprake tregojnë se ai ndodhej i fshehur në një stan në zonën ku u zhvillua operacioni dhe, sapo ka konstatuar praninë e efektivëve, ka hapur zjarr në drejtim të tyre.
Si pasojë e të shtënave humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos efektivi Edison Adri.
Burime hetimore bëjnë me dije se një ditë para operacionit, policia kishte siguruar informacione operative se Braçellari kishte zbritur nga mali dhe kishte qëndruar për disa orë në fshatin Lozhan, çka çoi në organizimin e ndërhyrjes për arrestimin e tij.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë, ndërsa ndaj Braçellarit rëndojnë akuza të rënda që lidhen me vrasjen e punonjësit të policisë dhe sulmin ndaj forcave të rendit.
