Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar në seancën plenare që të përfshihet në rendin e ditës raporti i Këshillit të Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi akuzoi mazhorancën se po zvarrit shqyrtimin e çështjes duke e çuar atë në limitet kohore, në mënyrë që kërkesa e SPAK të konsiderohet e refuzuar.
Sipas tij, raporti është dorëzuar të hënën dhe sipas procedurës duhet të ishte përfshirë në seancën e parë plenare pas dorëzimit të tij.
“Siç jeni në dijeni, në 23 shkurt Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet ka përfunduar mbledhjen për kërkesën e SPAK për arrestimin apo heqjen e lirisë për deputeten Belinda Balluku. Anëtarët e Këshillit, duke qenë se nuk kishit një qëndrim, pesë anëtarët që e kishin të qartë kanë dorëzuar raportin”, deklaroi Bardhi.
Ai theksoi se është detyrim që raporti të trajtohet në seancën më të parë të Kuvendit pas dorëzimit të tij dhe shtoi se mosfutja në rend dite është një shkelje e procedurave.
“Raporti u dorëzua të hënën dhe seanca më e parë është kjo e sotmja. Në rendin e ditës nuk u përfshi shqyrtimi i kësaj kërkese, që ka natyrë urgjente. Një javë ka mbetur që kërkesa të quhet e rrëzuar për shkak të mosmarrjes në shqyrtim”, u shpreh ai.
Bardhi u shpreh gjithashtu se mazhoranca po tenton të mbrojë Ballukun duke zvarritur procesin, ndërsa kërkoi që raporti të sillet në seancë për shqyrtim.
